Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka denoncuar regjistrimin e kryebashkiakut të PS-së në Mallakastër Qerim Ismailaj në zgjedhjet e 14 majit nën siglën e PS-së, i cili do rikandidojë.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi, tha se KQZ-ja ka shkelur ligjin e dekriminalizimit duke regjistruar Ismailajn.
Ky i fundit është dënuar nga Gjykata e Posaçme me 6 muaj burg për falsifikim dokumentesh, konvertuar në 40 orë punë publike.
Bardhi tha se KQZ është në shkelje të hapur të ligjit dhe se ka shpërfillur deklaratat e partnerëve ndërkombëtarë të cilët kërkojnë që në zgjedhje të mos futen kandidatë të dënuar më parë. Këtë vendim të KQZ, PD e ankimoi në KAS.
“Qerim Ismailaj ishte i dënuar me tre vite burg në Greqi. Edhe pse e mohoi, prokuroria dhe gjykata vërtetuan se denoncimi i PD ishte i vërtetë dhe se ishte një ish- i dënuar me tre vite në Greqi dhe se i ishte fshehur autoriteteve atje. Në muajin shkurt GJKKO e gjeti fajtor Edi Ramën e Mallakastrës, Qerim Ismailaj, duke e dënuar për falsifikim të formularëve me 6 muaj. Celibashi dhe këshilli i ministrave duhej të kishin urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm nga detyra. Ky urdhër nga kushtetuta e ligji nuk u ndërmor as nga Celibashi as nga Këshilli i Ministrave. Me një akt të paprecedentë, në injorim të thirrjeve të SHBA për kandidatë të pastër e të padënuar dhe jo me precedent, vendosën të rikandidojnë Isamailajn për bashkinë e Mallakastrës.” – tha Bardhi.
Ai tha më tej se periudha e rehabilitimit të Ismailajt përfundon më 29 mars 2025 e gjatë kësaj periudhe atij nuk i lejohet të kandidojë edhe pse dënimi është shndërruar në punë publike.
“KQZ në shkelje të ligjit të dekriminalizimit ka konfirmuar kandidaturën e tij. Ky vendim gjykate që është pranuar edhe nga vetë Ismailaj se nuk është ankimuar, dhe sipas gjykatës ka marrë formë të prerë, i ndalon atij kandidimin. Periudha e ndalimit nënkupton që Ismailaj nuk mund të ushtojë detyrën në asnjë institucion apo kandidat deri në periudhën e rehabilitimit që përfundon më 29 mars 2025. I jemi drejtuar KQZ duke e vënë në dijeni për shkeljen flagrante të ligjit të dekriminalizmit, injorim të deklaratave të partnerëve, duke i kërkuar të rishohë dhe të zbatojë ligjin e dekriminalizmit. Brenda ditës depozitojmë ankim në KAS.” – tha Bardhi, shkruan Shqiptarja.
Bardhi akuzoi kreun e KQZ-së Celibashi, i cili sipas tij po ndikon në prishje të zgjedhjeve vendore.
“I bëj thirrje Celibashit që të kthehet të ligjshmëria, është e disata herë që me veprime apo mos veprime është duke ndikuar në mënyrë antiligjore në prishje të zgjedhjeve të ardhshme lokale,” u shpreh Bardhi.
Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës Qerim Ismailaj është dënuar në muajin shkurt nga GJKKO me 6 muaj burg, dënim që iu konvertua me 40 orë pune për interes publik, me akuzën për “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve.” – shtoi Bardhi.
Ismailaj është dënuar nga GJKKO për falsifikim dokumentesh, pasi ai ka rezultuar i dënuar më parë në Greqi, pasi ka rrahur një person në vitin 1999.
Ismailaj nuk e kishte deklaruar këtë në formularin e dekriminalizimit, por ka thënë se s’ka qenë në dijeni të këtij dënimi në Greqi. Ka qenë vetë Partia Demokratike që ka denoncuar dënimin e Ismilajt në Greqi, që më pas u zbulua nga përgjigja e letër porosisë greke.