Kreu i Nisma Thurje Endrit Shabani ironizoi premtimin e kandidatit të opozitës për Tiranën në zgjedhjet e 14 majit për transport publik falas, duke thënë se e kishte kopjuar prej tyre.
Shabani tha se premtimi i Nisma Thurje për transport publik falas përfshin vetëm pensionistët, studentët dhe personat me aftësi të kufizuar.
Ai shtoi se partia synon të marrë vende në Këshillin Bashkiak për të sjellë ndryshime pozitive në kryeqytet.
“Na i kanë marrë neve se e kemi nisur më herët por s’jam i sigurt nëse e kanë kuptuar drejt. Ne kemi propozuar që të kemi transport publik të unifikuar. Problemi më i madh që ka sot Tirana është transporti publik, ku është ineficent. Duam të shkojmë në këshill bashkiak si pykë, të heqim shumicën e të rinisim kontrollin. Është fokusuar te kryetari i bashkisë por harrohet këshilli bashkiak kur merren vendime. Privatët këta kanë leverdi që autobusët të lëvizin ngadalë. Leverdia e autobusit që lëviz ngadalë është se nëse autobusi vjen çdo 1 orë, do futen më shumë njerëz. Sa më ngadalë të lëviz autobusi, aq më pak harxhojnë për stafin, konsumin, kështu që e gjitha është qëllimi i fitimit. Ne sot nuk vëmë dot GPS se privati nuk do të kontrollohet. Kategoritë që duhet të lëvizin falas janë studentët dhe pensionistët. Po ashtu të bëjmë dhe 100 lekë biletën që ta përdorësh gjithë ditën në të gjitha linjat e të reduktojmë trafikun.” – tha Shabani.
Ai shtoi më tej se Nisma Thurje propozon që linja e transportit duhet të jetë publike ndërsa theksoi se nuk ka asnjë arsye që transporti publik të jetë falas për kategoritë e tjera të qytetarëve.
Trafiku është humbje ekonomike, gjë që zgjidhet nga këshilli bashkiak. Këtë se kam parë të artikuluar as nga Belind Këlliçi, as nga Erion Veliaj. Propozimi ynë është që linja duhet të jetë publike. Skema aktuale ku private kanë marrë monopolet i imponohen bashkisë. Nëse këshilli bashkiak do mbetet si tani, premtimet bëhen dhe mbeten aty. Unë besoj që garancia më e madhe që mund të kenë qytetarët e Tiranës është duke çuar këshilltarët e Nismës Thurje. Transporti falas për pensionistë dhe student, personat me aftësi të kufizuar. Për të tjerët besoj se nuk ka asnjë arsye pse të jetë falas. Një njeri e merr makinën sot se lëviz më shpejt, jo se është më lirë. Në Gjermani nuk bëhet fitim me autobusët.” – shtoi Shabani.