Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj: Berisha e Meta dy vjetërsira që duan të çojnë Shqipërinë mbrapa, PS-ja parti patriotike e transformuese


Kryebashiaku i Tiranës i ka quajtur ‘dy vjetërsira që duan ta çojnë Shqipërinë mbrapa’ Sali Berishën e Ilir Metën, duke theksuar se filozofia e tyre është përçarja ndërkohë që socialistët duhet të mbjellin bashkim mes njerëzve.

Gjatë një takimi me të rinjtë e Tiranës, ai theksoi se Meta e Berisha janë kukulla që kurdisen nga pas nga të tjerë e janë shitur të rusët.

Veliaj u bëri thirrje të rinjve që të bashkohen me PS-në që është forcë politike patriotike, e vendosur dhe transformuese.

“Nëse filozofia e tyre është përçarje, filozofia jonë është bashkimi; nëse filozofia e tyre është të mbjellim helm e ndasi, ne duhet të mbjellim pemë e bashkim mes njerëzve. Ne nuk kemi asnjë problem me ata që vihen përpara të thonë gënjeshtra, por e kemi me ata që janë mbrapa tyre, që kurdisin kukullat. E në këtë rast, mjeshtrat e kukullave janë Saliu me Ilirin, nuk ka asnjë iluzion për këtë. Përndryshe nuk do i kishim listat e Këshillit Bashkiak të mbushura me histerizmat e Ilir Metës, me ata që rrëzuan PD-në e PS-në nga pushteti, dhe janë gati të tradhtojnë këdo vetëm që ta shqyejnë forcën politike. Ne e kemi betejën me dy vjetërsira që duan ta çojnë Shqipërinë mbrapa. Duhet të bëjmë diferencën mes këtyre mjeshtrave të kukullave, që komandojnë kukullat, dhe mbështetësit e tyre nuk kanë asnjë faj pse Berisha dhe Meta u shitën tek rusët. Me ata ne duhet të komunikojmë e të flasim, t’u themi pse të shkojnë si ‘cjapi të kasapi’, te partia e Ilir Metës, kur mund të vijnë te një forcë politike patriotike, të vendosur e transformuese.” – tha Veliaj.