Vendosni fjalën kyçe....

Administratori Vermulen: Do hedhim themelet për inceneratorin e Tiranës, Zoto e Mërtiri nuk janë pronarët


Pagesat e marra për inceneratorin e Tiranës, administratori i shoqërisë koncesionare Integrated Energy, Herman Daniel Vermulen thotë se janë para që nuk shkojnë për personat e shpallur në arrati.

Në një intervistë për MCN, ai mohon që kompania që administron të ketë lidhje me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin.

I pyetur mbi akuzat politike, Administratori tha se preferon të përfshihet në to por për të zbatuar detyrimet kontraktuale.

Këto janë të gjitha akuza politike. Ne nuk kemi lidhje politike dhe as nuk duam të përfshihemi në to. Kompania jonë është këtu për të bërë një gjë, për të kryer të gjitha punët dhe detyrimet kontraktuale dhe për të menaxhuar zonën e trajtimit të mbetjeve.

Ne nuk jemi këtu për t’u marrë me të gjitha akuzat nga parti politike apo individë. Ne jemi këtu vetëm për të kryer punët kontraktuale dhe për të menaxhuar zonën e trajtimit të mbetjeve”-tha Vermulen.

Vermulen shpjegoi se ku shkojnë pagesat prej 29 euro/ton për mbeturinat.

29 euro për ton është një shifër që përfshin një tarifë për menaxhimin dhe rikthimin nga investimi për punimet e ndërtimit të kryer. Këto përfshijnë impiantin e rikuperimit të materialeve, impiantin e trajtimit të ujërave të zeza, impiantin e mbetjeve në energji, landfillin dhe menaxhimin e zonës së trajtimit të mbetjeve të Tiranës”-tha Administratori i landfillit.

Ai shpjegoi se pjesët e djegësit do të blihen kryesisht në Itali dhe shtete të tjera të BE-së dhe më pas do montohen në impiantin e trajtimit të mbetjeve.

Asnjëherë nuk kemi negociuar për blerjen e një inceneratori në Rumani. Fabrikimi i uzinës WTE do të ekzekutohet në Itali dhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian. Më pas do të montohet në vend në zonën e trajtimit të mbetjeve”-tha Vermulen.

Administratori i koncesionarit sqaroi se ku kanë shkuar 46 milionë euro pagesa të mbledhura nga tarifat e marra nga bashkitë Durrës,  Tiranë, Kavajë dhe Vorë.

Tridhjetë e dy milionë është vlera e investimit në objekte dhe infrastrukturë që është ndërtuar nga kompania. Kjo vlerë është për periudhën e kontratës që kompania ka operuar dhe menaxhuar të gjitha mbetjet e përditshme. Fitimet e kompanisë riinvestohen për të zhvilluar infrastrukturën dhe për të përmirësuar efikasitetin dhe përfundimin e projektit dhe operacioneve në terren. Kjo zakonisht vjen me një kosto”-deklaroi Vermulen.

Vermulen theksoi se Prokuroria Speciale nuk i ka shkuar në zyrë por që kanë bashkëpunuar me ta duke iu përgjigjur kërkesave të tyre.

SPAK nuk ka ardhur në zyrën tonë. Ne kemi bashkëpunuar me SPAK për të gjitha kërkesat e tyre. Ne mund ta ndajmë vetëm këtë informacion”-tha ai.

I pyetur mbi raportet me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, Vermulen tha: “Unë nuk i njoh ose i kam takuar ndonjëherë. Ajo që mund të them është se ata nuk janë pronarë. Nëse dëshironi të verifikoni se cilët janë aksionarët, mund t’i drejtoheni regjistrit publik pranë Dhomës së Tregtisë”.

Vermulen u pyet edhe nëse ka takuar Kryeministrin Rama apo kryebashkiakun e Tiranës Veliaj duke mohuar të ketë zhvilluar një takim me ta.

Nuk kam takuar as kryetarin, as kryeministrin. Ato nuk ndikojnë në aktivitetet apo kryerjen e punëve të kompanisë sonë”-tha ai.

I pyetur se çfarë ndodh nëse SPAK vendos nën sekuestro inceneratorin e Tiranës, me diferencën e pagesave që rezulton me fitim, a do të ishte më e arsyeshme dhe më pak e kushtueshme që shteti të administronte vetë inceneratorin?

Vermalen u përgjigj: “Nëse kjo ndodh, nuk është më përgjegjësia ime të kujdesem për shpenzimet”.