Vendosni fjalën kyçe....

Berisha prezanton Igli Carën në Durrës: Rama po bën çmos të largojë shqiptarët, më 14 maj rivendosim pluralizmin


Sali Berisha ka prezantuarsot në Durrës kandidatin e opozitës për zgjedhjet e 14 majit, Igli Cara.

Ai tha se qytetarët do vendosin bashkë me Carën pluralizmin në qytetin bregdetar në zgjedhjet vendore duke ndalur të keqen.

Berisha akuzoi Ramën për largimin e shqiptarëve nga vendi duke thënë se po bën gjithçka për këtë.

“Qytetarë të Durrësit ne sot jemi këtu për idealet tona të lirisë. Jemi sot këtu për idealet më fisnike të njeriut, për të mbështetur së bashku Igli Carën, kandidatin e lirisë, kandidatin e vullnetit tuaj, qytetarin shembullor, intelektualin e shkëlqyer, politikanin e urtë, të vendosur, njeriun që sintezën në një virtytet morale më të mira tuajat, dashurinë e pakufishme për durrsakët, për Durrësin, plazhet, fshatrat, qytezat. Është nderi madh për mua të paraqes para jush Igli Carën, me bindjen më të thellë se Igli Cara me besimin tuaj, me votën tuaj, me mbështetjen tuaj do të dëshmohet një shërbëtor i përulur para jush, një drejtues, zyrtar i përkushtuar para qytetarëve të Durrësit. Igli Cara me mbështetjen tuaj do ndryshojë Durrësin dhe do ndikojë në ndryshimin e mbarë Shqipërisë. Më 14 maj ju me Igli Carën në një mision historik do rivendosni në Durrës pluralizmin. Më 14 maj ju me Igli Carën do t’i thoni ndal së keqes. Mençuria e durrsakëve fton çdo qytetar të votojë ndryshimin. Ai theksoi se Edi Rama po bën gjithçka t’i largojë shqiptarët nga Shqipëria dhe se të rinjtë durrsakë që mund të ishin të punësuar në turizmin e qytetit të tyre janë larguar në emigracion.” – tha Berisha.

Ai tha më tej se në 23 vite, plazhi i Durrësit thuajse është asgjësuar duke u betonizuar me ndërtimin e qindra pallateve. Berisha e quajti politikë gjenocidiale atë të qeverisë Rama ndaj qytetarëve.

“Çfarë ndodhi në 23 vite? Në 23 vite plazhi pothuajse u asgjësua, bukuria e plazhit të Durrësit u asgjësua, u betonizua. Çfarë ndodhi në 23 vite janë ndërtuar me qindra e qindra pallate. A është ndërtuar një hotel tjetër i dytë si ai që trashëgohet nga diktatura, asnjë. Jo se nuk janë shpenzuar para, por si ka mundësi të mbetet një relikë në kohërat më moderne, në kohërat e një vrulli të këtij qyteti, të mos ketë një të dytë si ai. Babëzia nuk lejoi, sepse duhej të ndërtohej në çdo moment beton. Më 14 maj të votojmë Igli Carën. Durrësi është një kompleks natyror që mund të vendosej në çdo parajsë tokësore dhe mbitokësore, me brigjet, tokat, kodrinat, nuk ka një bukuri më përrallore se ç’është Durrësi dhe përsëri të rinjtë e Durrësit marrin rrugët e botës. Në vend se të punojnë në industrinë e tyre turistike, shkojnë e shërbejnë në vende të tjera. Po largohen për shkak një politike gjenocidiale. Edi Rama po bën gjithçka t’i largojë shqiptarët nga Shqipëria.” – shtoi Berisha.