Vendosni fjalën kyçe....

Kandidati i opozitës Igli Cara: Po shkulin Portin e Durrësit, po marrin një pasuri kombëtare


Kandidati i opozitës për Durrësin Igli Cara akuzoi qeverinë për projektin e Portit të ri të Durrësit duke thënë se po e shkulin portin, po marrin një pasuri kombëtare dhe se me vendim qeverie po falen taksat e qytetarëve të Durrësit.

Ai tha se vendi është shpopulluar me ritme të frikshme vitet e fundit duke bërë përgjegjëse për këtë gjë keqqeverisjen.

“Në këto vite u shantazhua vota dhe u vendos regjimi. Të gjithë bien dakord që shpopullimi i vendit në këto vitet e fundit nuk janë e njëjta gjë me atë që ndodhi në vitin 1990. Të gjithë bien dakord që pasuritë natyrore më keq se në Durrës nuk janë administruar në asnjë vend tjetër. Të gjithë bien dakord që për të përshkruar bashkinë e këtyre viteve ajo fjalë është: arrogancë. Të duket sikur Bashkia është agjenci punësim për patronazhistët. Po shkulin Portin e Durrësit, po marrin një pasuri kombëtare, po falen me vendim qeverie taksat e qytetarëve të Durrësit.” – tha Cara.

Kandidati i opozitës për zgjedhjet vendore të 14 majit tha se bëhet fjalë për të paktën 230 milionë euro taksa të banorëve të Durrësit që po falen ndërsa theksoi se pushteti i Ramës, qendror e lokal e kanë keqadministruar qytetin dhe ndërkohë që shpenzojnë 10 miliardë lekë për Velierën, nuk kanë gjetur kurrë fonde për ngrohjen e shkollave.

“Duhet të jenë 230 milionë euro që i takojnë durrsakëve, por edhe ato po falen. Tanimë edhe Porti duhet të bëhet me lekët tona. Prej vitit 2016 deri në 2022 Durrësi ishte pa plan rregullues dhe kjo për faj të Dakos, Ramës dhe Sakos. Është fakt që financat publike janë keqpërdorur, shërbimet e pastrimit dhe mirëmbajtjes së qytetit kanë qenë jo eficiente. Teksa harxhojnë 10 miliardë lekë për Velierën që nuk ka përfunduar akoma, nuk u gjetën kurrë fonde për ngrohjen e shkollave. Unë si dhe ju besoj fortë se ndryshimi në 14 maj do të nisë nga Durrësi. Le të bëhemi të gjithë bashkë për të rrëzuar klonimin e regjimit të Ramës në Durrës. Durrësi jeni ju, ndryshimi i qeverisjes në administrimin e Durrësit është kryefjala që na bashkon. Do bëjmë gjithçka për të kthyer Bashkinë pranë qytetarëve. Brenda 2024 integrimi i zonave të reja urbane, mbulim me shërbim transporti publik, ky është premtim.” – tha Cara.