Nga Mero Baze
Kriptoberishizmi është fenomeni i berishizmit të fshehur, që nuk shfaqet në formën e sinqertë të Edi Palokës apo Flamur Nokës, por në formë më të maskuar, që në thelb është i njëjti problem: Njerëz të marrë peng nga Sali Berisha.
Në raport me ata që kanë vendosur të heqin dorë nga të menduarit dhe të përsërisin broçkullat e Berishës, kriptoberishistët janë dhe më amoralë, pasi këta ndryshe nga të parët, e kuptojnë dëmin që Berisha po i bën opozitës, por nuk kanë guximin të çlirohen prej tij.
Të parët në këtë listë natyrisht janë shumica e kandidatëve të Berishës, të cilët turfullojnë kur mendojnë se mund të humbasin prej Berishës, por ngushëllohen se kanë më shumë vota se ata të Alibeajt. Këta janë ata që ëndrrën e vetme kanë që “demokratët” t’ua dinë për nder kur të vdesë Berisha, që ata i shërbyen deri në fund dhe pastaj të marrin shpërblimin.
E vetmja gjë që harrojnë është se kur Berisha të mos jetë më, nuk do jenë më as rregullat poshtëruese që diktoi për karrierë politike Berisha dhe nuk do t’i hyjnë në punë njeriu. Thjesht do kujtohen siç kujtohet sot Hysni Milloshi, që i doli zot shokut Enver kur e hodhën poshtë të gjithë.
Edhe më qesharak në këtë histori do mbetet një ushtri e tërë fjalëshkruesish dhe fjalëfolësish ekranesh, që në këtë periudhë çdo ngjarje në vend e masin me kutin e Berishës.
Fjala vjen, njëri thotë që ambasadorja amerikane ka dështuar si diplomate dhe ka turpëruar SHBA, pasi sulmon Berishën. E thotë këtë kur Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë i del zot ambasadores dhe e lavdëron për punën e saj. A thua se fjalëfolësit e Berishës nëpër ekrane, përfaqësojnë një hierarki më të lartë se Blinken apo Escobar në SHBA dhe po i qajnë hallin SHBA.
Madje dhe kur gjykojnë aktorët e tjerë në tregun polik në vend, i gjykojnë në raport me Berishën. Pra të mirë janë ata që janë me Berishën, të tjerët janë regresivë. E thonë këtë për njeriun e certifikuar familjarisht si hajdut, me grua hajdute, vajzë hajdute, djalë hajdut, qeveri hajdute te rrëzuar me 1 milion vota dhe që tani pas 32 vitesh shqiptarët duhet ta rikthejnë se duan këta.
E kuptoj që shumë prej tyre në fakt vajtojnë tek Berisha dështimin e tyre, por Shqipëria nuk ka problemin e tyre, ka problemet e saj.
Të tretët dhe më tinëzarë si kriptoberishistë janë këta kryetarët e partive aleate opozitare, që nuk janë në koalicion me Berishën, por që bëjnë përditë thirrje të votohen kandidatët e Berishës.
Të jesh ose jo me Berishën në këto zgjedhje, do të thotë thjesht të votosh ose jo kandidatët e tij. Berisha nuk është vetë kandidat. Kështu që gënjeshtra që ne nuk jemi me Berishën, por jemi me kandidatët e Berishës, është thjesht një hipokrizi, një kriptoberishizëm, i negociuar madje nga vet Berisha me ta. Liria e vetme e tyre është të thonë që nuk jemi nën një sigël me Ilir Metën si Berisha, por jemi me siglat tona.
Për t’i kuptuar lehtë kriptoberishistët në këtë fushatë, nuk duhet shumë mundim. Shikoni kur Berisha sulmon SHBA dhe ata nuk flasin, shikoni kur sulmojnë egërsisht vetëm ata pak kandidatë që ka vendosur Alibeaj, shikoni kur bëjnë sikur diskutojnë seriozisht për broçkulla të tipit transport urban falas, shikoni kur diskutojnë seriozisht për akuzat e Berishës që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin dhe mbi të gjitha, shikojini kur nuk pyesin dot Berishën kur e kanë përballë për asnjë akuzë të faktuar ndaj tij. Janë thjesht ushtarët e poshtëruar te tij.