Kreu i PD-së Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta janë bërë sërish bashkë në Elbasan, ku do prezantuan kandidatin për kryebashkiak, Luçiano Boçi.
Ilir Meta ka vlerësuar kandidaturën e Luçiano Boçit në Elbasan, ndërsa ka treguar synimin e tij për këtë qark, duke thënë se rezultati për zgjedhjet do jetë 7-9.
Meta tha se është krim që të lihen qytetarët bashkive të këtij qarku në dorë të Rilindjes.
“I dashur kryebashkiak i Elbasanit, Luçiano Boçi. Zgjedhjet në Elbasan kanë përfunduar që ditën kur Boçi la mandatin e deputetit për t’ju kthyer identitetin qytetarëve. Qyteti u nëpërkëmb nga sekti i Rilindjes. Ti nuk je vetëm përfaqësues i koalicionit tonë, por përfaqësues i opozitës qytetare elbasanas. Faleminderit që ke ndezur flakën e fitores në të gjitha bashkitë e qarkut të Elbasanit. Elbasani duhet të dalë 7-0. Është krim të lëmë popullin e Gramshit në dorë të atyre që zihen me grushte, apo atyre të Librazhdit që zihen për tenderët. Ndaj votoni kandidatët tanë.”, tha Meta.
Luçiano Boçi iu ka dërguar një mesazh qytetarëve elbasanas në çeljen zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit.
Gjatë fjalës së tij ai pohoi se e vetmja gjë që nuk do të bënte për qytetarët, ishte fakti se nuk do t’i gënjente ata.
“E thjeshta deri në madhështi; faleminderit për mbështetjen. Ky falënderim nuk e shpreh plotësisht mirënjohjen time për ju. Në këtë hapje fushate, përpara se t’ju them qytetarëve se çfarë do bëj unë për ta, do ju them se çfarë nuk do bëj. Le ta ndajmë këtu në shesh të burrave, të bardhën nga e zeza, së pari; nuk do ju gënjej, për asnjë votë, për asnjë parti. Unë nuk pranoj t’ju gënjej, sepse nuk pranoj t’ju fyej. Ndershmëria është politika më e mirë. Unë nuk do t’ju zhgënjej. Sot nuk kam të drejtë që të mos luftoj sepse ne kemi të drejtën dhe detyrën qytetare që të fitojmë.
E kanë helmuar me luftë politike dhe me tym inceneratori të ardhmen. E kanë zhytur në korrupsion. Në vendim në të pasur mbi dhe, Rama po vazhdon eksperimentin e Enver Hoxhës. Në themel ka shpopullimin e Elbasanit he kërkon të zhdukë dimensionin e lirisë. Por, kanë harruar një gjë, që Elbasani duron shumë, por kur ta jep përgjigjen të lë pa fjalë. Është i rreptë në gjykim, i ngjan atij malit që brenda është një vullkan. Mikun e përkëdhel me fjalën mbret por veten e quan mësues. Kush nuk e vlerëson këtë vend, ikën i turpëruar me kokën poshtë. Elbasani është një djep për dijetarët dhe një varr për sundimtarët.”, tha Boçi.