Vendosni fjalën kyçe....

U kërcënuan arbritrat, distancohet Klubi Kastrioti: Të zbardhet kjo histori, po na prishet imazhi


Klubi i Kastriotit ka reaguar pas deklaratës së Federatës Shqiptare të Futbollit se sfida me Bylisin u shty për shkak se ishin kërcënuar arbritrat.

Klubi është distancuar nga kërcënimet për arbritrat dhe kërkon që të zbardhen sa më shpejt kërcënimet që siç duken për sfidën ndaj Bylisit nuk qe rast sporadik por që sipas FSHF-së edhe në sfidën ndaj Laçit kishte ndodhur. 

Klubi thotë se është i gatshëm të përballet me realitetin dhe se historia me kërcënime po i prish imazhin.

“Pas njoftimit zyrtar nga Federata Shqiptare e Futbollit për shtyrjen e ndeshjes Kastrioti-Bylis për një datë të pacaktuar, ku në njoftimin e mbërritur deklarohet që arbitrat janë kërcënuar, klubi Kastrioti është i detyruar të dalë me këtë reagim. Ne si klub distancohemi nga këto akuza dhe bëjmë thirrje organeve kompetente që të zbardhin sa më shpejt këtë histori të shëmtuar, e cila prish imazhin e klubit tonë, por dhe të futbollit shqiptar në përgjithësi. Në deklaratën e Federatës Shqiptare thuhet që edhe në ndeshjen e javës së kaluar midis Kastriotit dhe Laçit arbitrat paskan qenë të detyruar që nga kërcënimet të anulojnë një gol për skuadrën e Laçit. Ne jemi të gatshëm të përballemi me realitetin dhe i bëjmë thirrje organeve kompetente të marrin masa të menjëhershme dhe të zbardhin të vërtetën për këtë akuzë të rëndë. KS Kastrioti distancohet në mënyrë kategorike nga çdo lloj ngjarje që njollos lojën e bukur të futbollit”-thuhet në deklaratë.