Tre persona janë arrestuar në Elbasan pasi akuzohen se kanë kanosur administratorin e një kompanie që të tërhiqej nga tenderi që kishte fituar.
Hetimi për rastin në fjalë kishte nisur, sipas policisë, një muaj më parë.
Në pranga kanë rënë 37-vjeçari Edmir Boci, 27-vjeçari Algert Alcani dhe 62-vjeçari Shaqir Alcani, të tre banues në Tiranë, ndërsa në kërkim është shpallur 38-vjeçari L.K..
Ata akuzohen se kanë kanosur administratorin me iniciale E.M. të një biznesi me bazë në Cërrik të tërhiqej nga një procedurë tenderi duke e kërcënuar se do vrisnin atë dhe familjarët e tij.
Njoftimi
“Finalizohet pas një hetimi njëmujor me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Tenderi”.
Operacioni, i zhvilluar nga strukturat hetimore të DVP Elbasan dhe Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Operacioni ka nisur mbrëmjen e djeshme dhe ka vijuar deri mëngjesin e sotëm.
Shtrënguan me anë të kanosjes, administratorin e një kompanie private, që të tërhiqej nga procedura e konkurrimit për tenderin që kishte fituar kjo kompani, vihen në pranga 3 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër.
Specialistët e strukturave hetimore të DVP Elbasan, mbështetur nga inteligjenca informative se disa shtetas kishin kanosur administratorin e një firme në Cërrik dhe vijonin ta shtrëngonin që të tërhiqej nga një procedurë tenderimi që kishte fituar në bashkinë e Tiranës, kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila regjistroi procedimin penal.
Pas një hetimi proaktiv njëmujor, strukturat hetimore të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Tenderi”.
Në kuadër të këtij operacioni u kapën dhe u ndaluan shtetasit:
E.B., 37 vjeç, A. A. 27 vjeç dhe Sh. A., 62 vjeç, tre banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. K., 38 vjeç, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shtrënguar me anë të kanosjes, shtetasin E. M., administrator i një biznesi me qendër në Cerrik, Elbasan, duke i kërkuar që të tërhiqej nga një procedurë konkurrimi (tender publik), e fituar në bashkinë e Tiranës, nga firma e që ai adminsitronte. Shtetasi E. M. nuk ka pranuar të tërhiqet dhe këta shtetas e kanë kërcënuar se do të vrisnin atë dhe familjarët e tij.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjeti i përdorur nga autorët dhe 8 aparate celulare.
Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.”