Vendosni fjalën kyçe....

KAS rrëzon kërkesën e PD-së për çregjistrimin e Qerim Ismailajt nga gara për Bashkinë Mallakastër


Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar kërkesën e bërë nga Partia Demokratike për çregjistrimin e kandidatit të Partisë Socialiste, Qerim Ismailaj për bashkinë e Mallakastrës me arsyetimin se ky i fundit është subjekt i ligjit të dekriminalizimit.

PD ankimoi vendimin e KQZ me argumentin se ky i fundit është i dënuar me 6 muaj burg për falsifikim dokumentesh.

Në denoncimin e bërë, Bardhi tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shkelur ligjin duke regjistruar Ismailajn në zgjedhje si kandidat ndërkohë që ky i fundit në formularin e vetëdeklarimit ka bërë me dije se është i dënuar më parë me 6 muaj burg për falsifikim dokumentesh. 

Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës Qerim Ismailaj është dënuar në muajin shkurt nga GJKKO me 6 muaj burg, dënim që iu konvertua me 40 orë pune për interes publik, me akuzën për “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Ismailaj është dënuar nga GJKKO për falsifikim dokumentesh, pasi ai ka rezultuar i dënuar më parë në Greqi, pasi ka rrahur një person në vitin 1999. Ismailaj nuk e kishte deklaruar këtë në formularin e dekriminalizimit, por ka thënë se s’ka qenë në dijeni të këtij dënimi në Greqi.