Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi në një takim me banorët të Njësisë 5 prezantoi disa nga pikat e programit të tij për kryeqytetin.
Këlliçi synon që të ndalojë prishjen e pallateve të vjetra duke thënë se nëse fiton ai nuk do jetë më motoja “do ta prish shtëpinë se do ta bëj më të bukur”.
Kandidati i BF tha se do krijojë një komision auditi ku në përbërje të tij do ketë nga një përfaqësues nga vetë banorët e pallatit. Këlliçi u premtoi banorëve se do u japë fund akt-eskpertizave të porositura nga Veliaj.
“Ne bashkë, të gjithë sa jemi, do u shembim sistemin që kanë ngritur, që prishin pallatet tuaja për të ngritur pallatet e tyre. Të prishim pallatet “Agimi” për të ndërtuar pallatet “Erioni”?! Në dorë e keni. Hiqni atë nga bashkia ose ju heqë ai nga shtëpia! Ndryshimi është në duart e tua!
Unë do ngre një komision auditi, në përbërje të së cilit do të ketë se s’bën, një përfaqësues nga vetë banorët e pallatit. Unë do i jap fund skemave me akt-ekspertiza të porositura nga Veliaj; që u thotë “ekspertëve” nxirreni të dëmtuar, të pariparueshëm, se ashtu është një muhabet.
Shqiptari punon një jetë për të siguruar një shtëpi për të futur kokën. Kush je ti që vete u tund para syve një letër të sajuar në zyrat e tua, dhe u thua “Po ta prish shtëpinë se do të ta bëj më të bukur”. Te shtëpia është kufiri. Këtë muhabet nuk e dëgjoni më në 15 maj”—tha Këlliçi.
Më tej Këlliçi premtoi edhe një shkollë të mesme për Njësinë 5 pasi sipas tij ka shkolla me dy turne ende.
“Klasat janë të mbipopulluara dhe shkolla vazhdon me 2 turne”-tha Këlliçi.