Tre kandidatë për kryebashkiakë do të hetohen nga KAS pasi palët politike pretendojnë se kanë shkelur ligjin e dekriminalizimi dhe nuk duhet të futen në zgjedhje. Kjo ka bërë që KQZ të shtyjë sot shortin për përcaktimin e renditjes së kandidatëve për kryetar bashkie në fletën e votimit, për bashkitë Tiranë, Kamëz, Lushnjë, Durrës, Elbasan, Berat, Fier, Vlorë, Korçë, Lezhë, Shkodër në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Kryekomisoneri Ilirjan Celibashi tha se do të presin një vendim nga Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve dhe më pas nëse do të ketë apelim do pritet edhe Kolegji Zgjedhor.
“Në seancën e sotme kemi zhvillimin e procedurave për hedhjen e shortit për renditjen e disa kandidatëve për kryetarë bashkie në disa bashki, por do ta shtyjmë sepse kemi marrë një kërkesë nga një subjekt zgjedhor, i cili kërkon që të bëhet hedhja e shortit, paraprakisht, për subjektet zgjedhore dhe pastaj për kandidatët për kryetarë bashkie. Edhe për këta të fundit, të bëhet për të gjithë në të njëjtën kohë. Meqenëse për 3 kandidatë jemi akoma në procedurë shqyrtimi të ankimeve, do duhet të presim përfundimin ne shqyrtimit të ankimeve në KAS dhe në Kolegjin Zgjedhor”, theksoi ai.
Celibashi tha se këto procedura duhet të përfundojnë para datës 14 maj, ditë edhe kur nis zyrtarisht fushata, në mënyrë që kandidatët ose anëtarët për këshilla bashkiakë të jenë në dijeni nëse do të jenë pjesë e kësaj gare.
“Shpresojmë që procedurat të përfundojnë para datës 14, kur fillon fushata zyrtarisht fushata”, tha Celibashi.
I pyetur nga gazetarët se sa kandidatë mund të rrezikojnë futjen në zgjedhje vendore, Celibashi tha se ende nuk ka një numër dhe se po pritet që të gjithë emrat, përfshirë edhe kandidatët për këshilla bashkiakë, të bëhen publike dhe do t’i nënshtrohen procesit të hetimit nëse ka indice.
Teorikisht janë vetëm tre kandidatë deri në momentin që flasim, do shohim në momentin që do bëhet publike lista e të gjithë kandidatëve, jo vetëm për kryetarë, për edhe anëtarë, janë rreth 28 mijë e 800 kandidatë që mund ti nënshtrohen procesit të verifikimit të thelluar nëse ka indice.
I pyetur nëse qeveria po shkel Kodin Zgjedhor me rritjen e pagave në prag të fushatës elektorale, Celibashi sqaroi edhe njëherë se një gjë e tillë ndalohet vetëm për zgjedhjet parlamentare.
Gjithsecili mund të ketë komentet e veta në pikëvështrime të ndryshme të akteve të qeverisë, në cilësinë e komisionerit duhet të vlerësoj përputhjen e veprimtarisë në raport me kodin. Ato parashikimi ndaluese janë vetëm për rastin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Tej kësaj, natyrisht që kam edhe një opinion, por s’do zgjidhte gjë, as nuk do ndihmonte gjë”, tha Celibashi.