Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një bashkëbisedim me qytetarë në rrjetet sociale shpjegoi disa nga prioritetet e programit për zgjedhjet vendore por edhe të partisë që ai drejton për politikat publike.
Ulja e taksave dhe tarifave
Meta tha se në program është ulja e taksave dhe tarifave për të cilat mori si shembull edhe premtimet e kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë për Bashkinë e Tiranës.
Meta përmendi heqjen e taksës për infrastrukturën arsimore si dhe uljen e tarifës së pastrimit dhe gjelbërimit.
“Të gjithë e kanë të qartë se kemi një qeveri që rrit taksat në mënyrë arbitrare dhe nuk jep shërbime. Shumica e taksave shkojnë për shërbime luksi. Taksat ikin në mënyrë jo transparente dhe ju nuk merrni asnjë lloj shërbimi. Modeli ynë nuk është ai i rritjes së taksave por është ai i uljes së taksave. Është programi i kandidatit tonë Belind Këlliçi. Ftoj të gjithë ta shpërndajmë këtë program. Është një program që sesi do të hiqet taksa për infrastrukturën arsimore.
Çdo tarifë do të ulet në vlerën e kostos së shërbimit. Ulje 50% e tarifës së pastrimit dhe gjelbërimit. Para që i shkojnë sot inceneratorit të Tiranës. Me pak fjalë një biznes nga këto ulje taksash mund të përfitojë 35 mijë deri 430 mijë çdo vit. Është një politikë e tërë që synon uljen e kostove për sipërmarrjet”.
Referendume
Meta tha se ka si angazhim madhor garantimin e referendumit në nivel kombëtar dhe lokal.
“Angazhimi i dytë madhor është garantimi i referendumit, në nivel kombëtar dhe në nivel lokal. Që të ndalojmë shpopullimin duhet të marrim pjesë të gjithë në zgjedhje. Rilindja është autore e zbatimit të këtij shpopullimi. Të parët tanë e kanë mbrojtur këtë vend me pasuri përrallore nga ushtritë e huaja”.
Transporti publik falas në Tiranë
Meta iu drejtua edhe studentve të Tiranës për të cilët tha se nuk do rrijmë më në radhë pa fund për abone pasi do bëhet falas transporti publik.
“Të dashur student dhe student, ju nuk do të rrini më në radhë pa fund për abone. Radhë të tilla janë parë para viteve 90. Ju do ta keni transportin publik falas patjetër në Tiranë por dhe në disa qytete të tjera”-tha Meta.