Vendosni fjalën kyçe....

Shembet ndërtesa në qytetin francez, dy viktima e dhjetëra të zhdukur


Dy persona humbën jetën e pesë persona u plagosën pasi një ndërtesë banimi katërkatëshe u shemb dhe shkaktoi një zjarr të madh në qytetin port francez të Marsejës, tha kryebashkiaku Benoit Payan. Vendasit thanë për mediat se dëgjuan një ‘shpërthim të madh’në zonë gjatë natës.

Ndërtesa në lagjen qendrore, e njohur për baret dhe restorantet e saj, u shemb rreth orës 00:40 të mëngjesit me orën lokale të së dielës, sipas kryebashkiakut.

Pesë persona pësuan lëndime në dy prona fqinje, të cilat gjithashtu u dëmtuan, tha Payan. Banorët janë evakuuar nga një numër shtëpish në afërsi, shtoi ai.

“Duhet të jemi të përgatitur që të kemi viktima në këtë tragjedi të tmerrshme”, tha kryebashkiaku, duke shtuar se njerëzit mund të jenë brenda ndërtesës së shembur.

Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin, i cili mbërriti në Marsejë të dielën në mëngjes, tha se ‘katër deri në një duzinë njerëz’ mund të kenw mbetur të bllokuar nën mbeturina. Zjarri po digjej disa metra nën rrënoja, gjë që e bënte gjithnjë e më të vështirë shuarjen e tij nga shërbimet e emergjencës.

Më shumë se 100 zjarrfikës u vendosën për të shuar flakët, sipas BFMTV.

“Ne po përpiqemi të përshpejtojmë operacionin sepse koha është thelbësore, por qentë e kërkimit nuk mund të punojnë në një nxehtësi të tillë”, tha komandanti i zjarrfikësve detarë të Marsejës, Lionel Mathieu.

Një hetim ka nisur për të përcaktuar shkakun e shembjes. Prefekti rajonal Christophe Mirmand i tha AFP se kishte ‘dyshime të forta’ se incidenti kishte qenë rezultat i një rrjedhje gazi.

Ndërtesa e prekur ishte në gjendje të mirë dhe ‘nuk kishte kod rreziku’, vuri në dukje ai.

Një banor vendas tha për mediat se kishte dëgjuar ‘një shpërthim të madh’, ndërsa një tjetër shtoi se ‘gjithçka u drodh’ kur ndërtesa u shemb.

Një tjetër ndërtesë e madhe u shemb në Marsejë në vitin 2018, kur dy shtëpi të rrënuara në lagjen e klasës punëtore të Noailles u shkatërruan, duke vrarë tetë njerëz.