Vendosni fjalën kyçe....

Analiza e Ylli Manjanit per inceneratorët, zbardh gafat e procesit


Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani analizoi mbrëmjen e djeshme atë që ka ndodhur dhe po ndodh me çështjen e inceneratorëve, duke zbardhur gafat e procesit.

I ftuar në emisionin Top Story ai analizoi hetimet, akuzat, arrestimet, deklaratat si dhe sjelljen e SPAK-ut në gjithë procesin si dhe ato që i quajti lojëra politike lidhur me inceneratorët.

Manjani, i cili u emërua ministër Drejtësie në vitin 2015, në qeverinë e koalicionit PS-LSI shpjegoi që nga gjeneza historinë e inceneratorëve në vend.

Ai tha se qeveria e re Rama-Meta kishte gjetur një strategji për mbetjet kur erdhi në pushtet por e ndryshoi atë befas duke e quajtur vendim qartazi politik dhe duke bërë përgjegjës si Ramën ashtu edhe kreun asokohe të LSI-së Meta për mungesën e transparencës me publikun mbi vendimin e marrë.

Marrëdhënia Rama-Meta në koalicionin 2013-2017 e ndryshimi i strategjisë për mbetjet

“Në vitin 2013 Shqipëria ka patur një strategji për trajtimin e mbetjeve dhe nuk është e vërtetë që nuk ka pasur një strategji për këtë. Në vitin 2013 kur ka ardhur Partia Socialiste në pushtet ka gjetur një strategji të hartuar nga GIZ-i me paratë e BE-së. Në momentin që u mbyll importi  në vitin 2013, edhe biznesi i riciklimit filloi të bjerë. Ishte një vendim politik sepse PS-ja kishte premtuar se do bënte referendum për këtë gjë dhe për të shmangur referendumin vendimi i parë që mori ishte bllokimi i importit. Askush nuk ka ditur asgjë. Ne për inceneratorët kemi nisur të flasim në vitin 2019. Këtu është fjala për vendime me natyrë politike. Qeveria e asaj kohe ka marrë vendim për të refuzuar një strategji që ishte në fuqi, pas ardhjes në pushtet në vitin 2013. Këtë vendim kush e mori, si u mor, pse u mor, askush nuk e di. Këtë vendim i takon qeverisë shqiptare të kohës ta sqaronte me detaje. Fillon dhe mbaron te politika.” – tha Manjani.

Sipas ish-ministrit, qeverisja e koalicionit ka qenë e mirëpërcaktuar në hollësi për funksionet e gjithësecilit duke pohuar se edhe për vendimin për ndryshimin e strategjisë së mbetjeve ka pasur dijeni mes krerëve Rama e Meta.

“Në këtë kontekst, për qeverisjen e vitit 2013-2017 e cila ka funksionuar me bazën e  një koalicioni politik, PS-ja e LSI-ja. Ky koalicion ka pasur marrëveshje të detajuara në letra zyrtare për çdo funksion publik. Çdo drejtues, kush është, ku shkon, çfarë bën dhe ku jep llogari për çfarë. Dhe ju mendoni që ky koalicion nuk ka pasur dijeni për këtë vendim, sigurisht që ka patur. Që të jemi të sinqertë, Edi Rama dhe Ilir Meta si drejtues të atij koalicioni kanë dështuar që t’i shpjegojnë popullit shqiptar në kohë këtë çështje.” – vijoi Manjani.

3 pikat që çuan në shfaqjen e debatit të fortë publik e politik të inceneratorëve

Ai shpjegoi më tej në tre pika shfaqjen e çështjes së inceneratorëve në debatin politik e publik në vend dhe nisjen e veprimeve të para të prokurorisë.

Manjani theksoi se shkaqet kryesore të bërjes së çështjes së inceneratorëve temë madhore janë prishja e paktit PS-LSI në vitin 2017, prishja e paktit LSI-Lefter Koka e beteja tregtare për riciklimin e mbetjeve.

“Çështja mbi inceneratorët ka nisur të dalë pasi ishte ndërtuar inceneratori i Elbasanit, i Fierit ishte ndërtuar përgjysmë, këtu fillojnë kur u bë çështja penale. Pse inceneratorët u bënë kaq simpatik apo kaq interesant për publikun, për disa arsye. Së pari prishja e paktit PS-LSI është shkaku numër një. LSI-ja pas vitit 2017 doli me një stratëegji tjetër politike, për mendimin tim thuajse të gabuar, por sidoqoftë kjo është një nga arsyet sepse krejt papritur ajo u shfaq një parti tjetër, sikur s’kishte ndodhur asgjë në 4 vjet me PS-në dhe ne s’dimë gjë. E dyta është prishja e paktit LSI-Lefter Koka. E treta unë mendoj që është beteja tregtare në lidhje me këtë lloj biznesi erdhi duke u forcuar veçanërisht pas Elbasanit. U pa që Elbasani u ndërtoka dhe funksionoka, prodhon punë e lekë. Filloi një krisje tregtare. Ke papritur aleatë, bëhen armiq në botën e biznesit dhe ky është fati i keq mendoj unë i gjithë kësaj çështjeje sepse kjo është shumë ‘underground’, shumë e nëndheshme.” – shtoi Manjani.

SPAK-u në lidhje me inceneratorët

Ish-ministri kritikoi ashpër raportin e SPAK-ut lidhur me çështjen e inceneratorëve. Ai tha se prokuroria është bërë pjesë e lojës politike për rastin në fjalë dhe se është shumë larg zbulimit të së vërtetës.

Manjani tha se SPAK nuk ka kryer hetime të plota për inceneratorët, ka ngritur akuza pa baza ligjore dhe se po i mban të arrestuarit në burg pa shkak.

“Çështja e katërt është sjellja e drejtësisë në raport me çështjen. Drejtësia dhe SPAK në këtë çështje janë si urgjenca që trajton një simptomë të radhës por nuk kujdeset që ta shërojë pacientin. Kjo është një histori populizmi që nuk ndihmon aspak  në këtë çështje. Sa i takon raportit të drejtësisë me të vërtetën unë mendoj që janë të dyja në plane të kithëta, mendoj se drejtësia është shumë larg të vërtetës. Çështja ka nisur që me Elbasanin, ajo është çështja numër një në SPAK. Lefter Kokën e akuzojnë për korrupsion. Qenkan nja 8 firma në Durrës që paskan marrë para të faturuara nga inceneratori dhe pretendohet që këto para ia paskan çuar Lefter Kokës bakshish. Korrupsioni ka dy palë, ai që të korrupton dhe ti që korruptohesh. Kush e korruptoi Lefterin, zero, s’ka përgjigje për këtë. E dyta, sa lekë iu zunë gafil si provë e  korrupsionit, se s’ka korrupsion pa provë, ku janë lekët e sekuestruara si provë e korrupsionit.” – shtoi Manjani.

Thirrja për Mirel Mërtirin

Më tej ai i bëri thirrje Mirel Mërtirit, njërit prej personave në kërkim që të flasë publikisht për akuzat ndaj tij duke theksuar se SPAK ka bërë një shpikje ligjore për ta akuzuar.

“Ça i thonë Mirel Mërtirit. Nuk e njoh po ky duhet të dalë në publik t’i thotë ca gjëra. Në gjithë historinë e inceneratorëve ka vetëm një anë që flet, bjeri, korrupsion, mafie. Ana tjetër është bosh. Sado i paanshëm të jesh si gjykatës, kur sheh që ana tjetër është bosh thua punë e madhe, bjeri të kënaqet populli. Këtij i thonë je pronar faktik i kompanisë. Shpikje ligjore. Meqë gruaja jote është pronare e shoqërisë, ti je burri i gruas, gruaja jote është pronare, ti je pronar faktik i kompanisë. SPAK nuk është në pozitën e duhur profesionale dhe është duke shërbyer si zjarrfikës i zjarreve të çastit. Gjithë akuzat që janë ndërtuar, të paktën në media ose në mjedisin politik janë që është një mostër që quhet Mirel Mërtiri që ka bërë çdo gjë, që ka bashkëpunuar me persona  të caktuar, herë me Arben Ahmetajn, herë me Damianin, kjo është ajo që zien në publik dhe kur hap letra e sheh, del që Mirel Mërtiri nuk është askund.” – vijoi ish-ministri analizën.

Pozita e SPAK-ut

Manjani pohoi se SPAK është nën presion të padrejtë në punën e tij por theksoi se prokuroria nuk është aspak e pavarur në këtë çështje, duke ritheksuar mangësitë e saj në hetimet për inceneratorët, diçka e cila bëhet për lojë politike, shtoi ai.

“Është vërtet kaq e madhe kjo apo është diçka që bëhet për lojë politike. Nuk dua ta them që SPAK sillet politikisht por fakt është që loja politike është aty. SPAK është në një presion të padrejtë. Drejtësia ka humbur pavarësinë. SPAK nuk ka asnë lidhje me pavarësinë. Këta vunë persona nën akuzë, i çuan në gjyq, për Elbasanin e Fierin. Krejt papritur u kujtuan që ka disa emaile Klodian Zoto. Pas 3 vitesh, pasi i kishin çuar në gjyq këta dolën ca emaile. Një biletë avioni këtej, u bënë si kafet e Nexhmie Hoxhës ato emailet e Zotos dhe këtu u bënë qesharakë. Hetimet janë të paplota, nuk kanë hetuar asgjë, kanë marrë kallëzimin dhe e kanë vënë në akuzë. Ajo që po ndodh me drejtësinë është skandaloze. Publiku duhet të dijë që drejtësia nuk është  në standardin e duhur. Dalin njerëz flasin në media dhe nuk i ka pyetur SPAK-u asnjëherë. Si i ke mbyll hetimet pa pyetur njerëz, pa shku me verifiku gjendjen në vend, si i mbyll hetimet pa gjetur të korruptuarin dhe korruptuesin, pa gjetur provat. Kjo gjë i ka çuar në përfundime paraprake, shumë të papjekura.” – tha Manjani.

Loja politike

Në fund ish-ministri tha se secila palë ka interes politik për çështjen e inceneratorëve dhe e përdorin këtë, gjë sipas tij ka bërë që hetimet të marrin më shumë vëmendje sesa hetimet për koncesione të tjera nën hetim në fusha të tjera.

Manjani theksoi edhe njëherë se çështja në fjalë ka nisur pas prishjes së paktit PS-LSI e LSI-Lefter Koka dhe i bëri thirrje SPAK-ut  të sillet profesionalisht e të qëndrojë larg lojës politike.

“Secili ka interes politik në këtë çështje, ngre një çështje për të marrë audiencë. E mori vëmendjen dmth u fut si spot se LSI-ja ka denoncuar inceneratorët por askush nuk e pyet LSI-në ku ishit ju kur u mor vendimi për inceneratorët. Ose cili është raporti politik e personal LSI-Lefter Koka, se këtu ka nis gjëja. Në sektorë të tjerë të shtetit janë dhënë koncesione gjithashtu, 300 milionë, 400 milionë euro, nuk ka bërë kaq zhurmë sa kjo, këtu janë mbledhur disa faktorë brenda dhe hidhet për lojë politike. Po drejtësia pse duhet të jetë në këtë lojë. Drejtësia sot nuk është aspak e drejtë, është larg çdo lloj pritshmërie dhe parashikimi. Në këtë çështje sidomos SPAK ka gabuar rëndë. Ka edhe të dhëna të tjera që ka një grup prokurorësh aty brenda kundër një tjetri, janë ca lojëra të nëndheshme që nxjerrin kokën hera herës dhe kanë krijuar një mozaik që është një shqetësim shumë i madh që kemi këtë standard drejtësie. Kjo është drejtësi e Enver Hoxhës, të fusim në burg se gjejmë ca prova rrugës. Kjo është çështje politike.” – mbylli analizën Manjani.