Banorët e Bërxullës nuk janë ndalur në protestën e tyre kundër projekit Thumanë-Kashar që prek pronat e tyre.
Pas tubimit jashtë godinës së Hipotekës, ata janë futur brenda godinës duke kërkuar takim me drejtoreshën e institucionit, Dallëndyshe Bici.
Banorët theksojnë se duan informacion lidhur me prinat e tyre, tokat e banesat. Ata i bënë thirrje Bicit që të dërgojë në zonë një ekip nga Hipoteka për t’u dhënë shpjegime lidhur me pronat duke paralajmëruar për protesta të forta.
“I bëjmë thirrje zonjës Bici që të na dalë të na presë. E presim 24 orë. Të bjerë grupin përfaqësues dhe të na japë shpjegime, në të kundërt pasojat do t’i kenë të rënda. Protesta do zhvillohet këtu dhe do jetë e dhunshme. Do shkojmë deri në pikën e fundit. Këtu nuk kemi dhunuar asgjë. Këtu projekti është privat, por s’kemi dhunuar asgjë.” – tha njëri prej banorëve.
Banorët e kundërshtojnë prej shumë kohësh projektin e rrugës Thumanë-Kashar duke theksuar se nuk është bërë ende verifikimi i pronave të tyre.
Ata kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut, në të kundërt kanë paralajmëruar se do e pengojnë me çdo kusht.