Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi në një takim me kryetarët e degëve të Tiranës se kryeministri Edi Rama është i vetmi kryeministër që rezulton nën hetim ndërkombëtar dhe së shpejti sipas tij, do të jetë edhe nën hetim kombëtar.
Komentet Berisha i bëri gjatë një takimi me kryetarët e degëve të Tiranës dhe FRPD, ku tha se kandidatët e PS-së për zgjedhjet lokale vijnë nga nomenklatura e mafies.
Berisha tha se atyre u rëndojnë thasët me euro të vjedhura nga qytetarët në kurriz, duke shtuar se askush nga këta kandidatë nuk është votëbesuar nga socialistët.
“Kjo është fushata që karakterizohet nga një optimizëm, nga një besim, nga një shpresë për fitore. Ju se jeni çdo ditë në terren, kudo që hidhni hapin, dëgjoni qytetarë dhe qytetare që thonë keni frymë të shkëlqyer. Kjo është besimi në fitore. Qytetarët e ndiejnë se fitorja po afron çdo ditë. Në këtë kontekst, mund të themi se ka disa paralelizma, do u duket e çuditshme, por paralelizma e parë janë kandidatët tanë. Ne shkojmë me kandidatë të cilët nuk kanë asnjë hipotekë negative.
Shkojmë me kandidatë që kanë kredenciale qoftë qytetare, qoftë politike të shkëlqyera. Por në dallim nga viti 91’ këta janë kandidatë jo të caktuar nga kryetari apo kryesia e partisë, por të zgjedhur nga anëtarësia. Këta kanë një epërsi morale të jashtëzakonshme, krahasuar me të gjitha kandidimet që ka bërë PD ndër vite. Të marrësh kandidatët tanë e t’i krahasosh me kandidatët e tyre, janë 2 botë. Ata janë kandidatë të nomenklaturës. Të nomenklaturës së mafies. Një gazetar e pyeste kreun e SKAP-it, a ka në Shqipëri mafie të strukturuar? Ai i përgjigjet se nuk ka se mafia nuk ka kryetar. Nuk thoshte që këtu është shteti kryetar. Këtu është Edi Rama dhe qeveria.
Është ajo që shkruante BILD, shteti i mafies dhe i drogës. Kandidatët e kësaj mafieje janë kandidatë të vesit, që kanë vjedhur, të lidhur me 1 mijë fije më mafien. Janë kandidatë të cilët u rëndojnë thasët me euro të vjedhura qytetarëve. U rëndojnë lidhjet me drogën. U rëndon fakti se për ta nuk ka votuar një socialist i vetëm. Të gjithë kanë dalë nga sirtarët e Ramës. Çdo kandidat e din se i ka kohët e numëruara. Rama është i vetmi kryeministër që është nën hetim ndërkombëtar dhe së shpejti edhe në kombëtar”, u shpreh Berisha.