Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara, deklaroi në emisionin “A Show” me Adi Krastën, në Syri Tv, se qyteti i Durrësit është lënë në harresë.
Cara teksa ishte në lidhje direkte faktoi se si një nga rrugët me kryesore të qytetit në lagjet nr.8 gjendet në errësirë të plotë.
“Nga takimet që kam bërë me qytetarët gjatë kësaj periudhe kuptohet që ata duan ndryshimin. Unë në këtë periudhe jam në çdo zonë të qytetit. Në këtë moment që ne po flasim nëse do të fikim dritat e kamerave, ju nuk do të shikoni më nga mungesa e ndriçimit dhe po flasim për rrugën ‘26 nëntori’, pranë maternitetit të Durrësit. Një rrugë e njohur për Durrsakët, tek lagjja 8. Kjo gjendje është në 80 përqind të rrugëve të Durrësit. Dhe kjo do thotë që qytetarët nuk marrin shërbimin që ju takon. Çfarë është në thelb bashkia? Bashkia është një institucion që mbledh taksat e qytetarëve dhe t’i përkthejë ato në shërbime dhe përfitime për to. Të gjithë qytetarët e Durrësit paguajnë pa përjashtim për ndriçimin e cila duhet t’ju kthehet atyre me ndriçim të rrugëve. Tani me faktin se 80 përqind e rrugëve janë në këtë gjendje në Durrës tregon shumë. Bashkia e Durrësit vetëm për vitin 2021 ka paguar për energjinë elektrike 850 milion lekë të vjetra, për mirëmbajtjen 312 milion lekë dhe për investimet e reja 418”, u shpreh Cara.