Është shtyrë për në datën 26 prill seanca në Gjykatën Kushtetuese për kërkesën e PD-së për shfuqizimin e aktit të qeverisë për konfiskimin e pronave tëqytetarëve me VKM.
28 deputetë të PD-së kërkojnë shfuqizimin e aktit duke e cilësuar atë si të papajtueshëm me Kushtetutën vendimin e procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi.
Qeveria nga ana e saj ka kërkuar që çështja të mos merret në shqyrtim duke pretenduar për numrin e deputetëve që kanë firmosur kërkesën.
Sipas saj, dy deputetë që kanë firmosur kërkesën për Kushtetuesen, Grida Duma dhe Alfred Rushaj nuk janë më deputetë.
Megjithatë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi pohoi pas seancës se Rushaj e Duma kanë qenë deputetë kur e kanë firmosur ankesën.
“Kërkesa është paraqitur nga 28 deputetë, në momentin që është vënë në lëvizje Gjykata Kushtetuese. Pra 28 firmëtarët kanë qenë deputetë në momentin që kanë firmosur. Znj. Duma dhe z. Rushaj kanë qenë deputetë kur kanë firmosur. Me këtë logjikë i bie që nëse Presidenti i Republikës vendos në lëvizje Gjykatën Kushtetuese dhe nëse ai qëllon që i mbaron mandati, apo vdes, i bie që çështja të mbyllet. Nuk ka kuptim. Në momentin që kjo kërkesë është firmosur, 28 deputetët kanë pasur këtë funksion.” – arsyetoi Bardhi.