Vendosni fjalën kyçe....

OKB konfirmon 8,500 civilë të vdekur në Ukrainë që nga fillimi i luftës


Organizata e Kombeve të Bashkuara njoftoi të martën se 8,500 civilë janë vrarë në Ukrainë, që kur Rusia nisi sulmin në shkallë të gjerë në këtë vend. Por shifra mendohet të jetë shumë më e lartë.

Në një deklaratë të zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, thuhej gjithashtu se më shumë se 14,000 civilë të tjerë janë plagosur, sipas VOA.

Sipas agjencisë shifrat besohet të jenë dukshëm më të larta dhe pengesë është bërë marrja e informacionit nga disa zona ku konflikti vazhdon të jetë intensiv. Në njoftim përmendeshin qytete si Mariupoli në rajonin e Donjeckut, Lysychansk, Popasna dhe Sievierodonetsk në rajonin e Luhanskut, ku ka pretendime për një numër të madh viktimash në mesin e civilëve.

Sipas OKB-së, në nëntë ditët e para të muajit prill u konfirmuan 44 civilë të vrarë. Të gjitha rastet, përjashtuar njërin, ishin si pasojë e lëndëve shpërthyese me rreze të gjerë veprimi.

Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer së fundmi më shumë se 200 ushtarë të kapur rob. Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur të hënën se kishte marrë 106 ushtarë të saj, ndërsa Andriy Yermak, shefi i shtabit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se Rusia kishte liruar 100 të burgosur ukrainas.

Në asnjërin prej njoftimeve nuk jepeshin detaje se si ishte kryer shkëmbimi i të burgosurve. Zoti Yermak shkruante në rrjetin social Telegram se disa nga ushtarët ukrainas vuanin nga plagë e sëmundje të rënda. Ai shtonte se shkëmbimi i fundit i të burgosurve, pas 14 muajsh luftë, nuk ishte i lehtë, por nuk dha detaje të mëtejshme. Shkëmbimi i të burgosurve është një nga fushat e pakta të bashkëpunimit mes Ukrainës dhe Rusisë.

Shtabi Koordinues i Ukrainës për trajtimin e të burgosurve të luftës pretendoi se pothuajse gjysma e ushtarëve të kthyer, mes tyre 80 burra dhe 20 gra, kanë pësuar lëndime të rënda, janë të sëmurë, ose janë torturuar, por pa ofruar prova mbi këto pretendime.

Sipas medias ukrainase një prej të burgosurave që u shkëmbye, është Valeriia Karpilenko, një ushtarake që ndihmoi në mbrojtjen e fabrikës së çelikut të Azovstalit në Mariupol. Majin e vitit të kaluar, ajo u martua me një ushtar ukrainas në bodrumin e fabrikës, ndërsa ishin të rrethuar nga forcat ruse. Bashkëshorti i saj u vra tre ditë më vonë.

Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur se ushtarët rusë të liruar ishin nisur me avionë ushtarak drejt Moskës për trajtim mjekësor dhe rehabilitim.