Policia e Kosovës tha të martën se pezulloi nga puna katër pjesëtarë të saj, në kuadër te hetimeve rreth një incidenti në të cilin një pjesëtar i komunitetit serb mbeti i plagosur gjatë natës në veriun e banuar me shumicë serbe.
Më herët gjatë ditës policia kishte mohuar përfshirjen e saj në plagosjen e qytetarit serb, ndërsa pasditen e së martës tha se janë siguruar dëshmi mbi dyshimet për përfshirje të mundshme të një zyrtari policor në të shtëna me armë zjarri.
“Bazuar në informacionet dhe dëshmitë e siguruara janë marrë masa të suspendimit ndaj zyrtarit policor, pasi nuk kishte raportuar lidhur me rastin”, thuhet në njoftimin e policisë në të cilin nënvizohet se masa e pezullimit u është shqiptuar edhe tre zyrtarëve të tjerë për përfshirje në këtë incident.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier shkroi në rrjetet sociale se “Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për incidentin në të cilin një serb i Kosovës u qëllua mbrëmë në Zveçan. Zyrtarët dhe institucionet e Policisë së Kosovës duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm. Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga mohimi fillestar i bërë pa kujdesin e duhur”, shkroi ai, duke bërë thirrje për llogaridhënie të atyre që janë përgjegjës për veprime kriminale, përcjell VOA.
I plagosuri është duke u trajtuar në spitalin e Mitrovicës së Veriut dhe është jashtë rrezikut.
Incidenti nxiti reagimin e zyrtarëve të Beogradit të cilët akuzuan autoritetet në Prishtinë për dhunë ndaj pjesëtarëve të komunitetit serbë në zonën e trazuar.
Përfaqësuesit e katër komunave veriore të banuara me shumicë serbe, nuk e njohin autoritetin e Prishtinës e cila ka shpallur për 23 prill zgjedhjet për postet e kryetarëve të këtyre komunave. Postet janë bosh që nga nëntori i vitit të kaluar kur përfaqësuesit serbë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës mes tensioneve për shkak të mospajtimeve ndaj një vendimi të qeverisë në Prishtinë për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Republikës së Kosovës.
Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, refuzon të marrë pjesë në zgjedhje dhe të enjten pritet që të takohet ne Rashkë të Serbisë me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe qeverinë e Serbisë për të diskutuar siç është thënë, për gjendjen e sigurisë, targat e makinave, arrestimet e serbëve dhe zgjedhjet në veriun e Kosovës. Presidenti serb tha se diskutimet do të përqendrohen në hartimin një platforme të përbashkët rreth situatës në veriun e Kosovës.
Një numër organizatash joqeveritare kanë tërhequr vërejtjen se se rrethanat aktuale nuk mundësojnë mbajtën e zgjedhjeve në veri, të cilat fillimisht qenë caktuar për 18 dhjetor të vitit të kaluar për t’u shtyrë për 23 prill të këtij viti.