Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama përpara kandidatëve për 61 bashkitë e vendit hapi fushatën për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Rëndësia e votës
Rama i cilësoi të rëndësishme zgjedhjet duke thënë se Shqipëria është tashmë në një nivel tjetër në sytë e botës.
“Këto ditë nis zyrtarisht fushata jonë e 9 që kur unë drejtoj PS, kemi fituar 7 nga 8 palë zgjedhje, kemi humbur vetëm një në 2009, që më shumë se sa e humbëm, na e morën, sidoqoftë, të fitosh zgjedhjet është një gjë, ndërsa një gjë tjetër është ta kthesh fitoren në vlerë, për komunitetin, jam krenar për vlerën e shtuar që fitoret e PS kanë sjellë për Shqipërinë, sot jemi një vend krejt tjetër në sytë e botës, na janë besuar role parësore si në OKB, sot marrëdhëniet ndërkombëtare janë në nivelin më të lartë, janë miqësore, aktive, takimet e nivelit të lartë janë pjesë e punës si faktor me peshë në rajon, ky aspekt i transformimit ka një rëndësi për vendin, se do të thotë jo vetëm ndryshim, por ndryshim i botës së jashtme ndaj nesh dhe kjo sjellë më shumë vëmendje dhe interes, si një destinacion për të punuar, investuar dhe jetuar. Rritja e paimagjinueshme e turistëve është vetëm paralajmërimi kuptimplotë e një të ardhme me shpresë, aty e ka bazën transformimi si dita me natën. Zgjedhjet kanë shumë rëndësi për një vend, sesa çfarë gabimisht mendojnë shumë prej zgjedhësve duke mos dhënë votën, sa shumë punë nuk do ishin bërë pa votën e PS, dhe sa shumë dëme do ishin shmangur pa votën e PD”, tha Rama.
Ndryshimi i PS-së nga opozita
Kryeministri, Edi Rama bëri thirrje që qytetarët të krahasojnë ndryshimin e madh në bashki që janë qeverisur nga kryebashkiakë të PS me ato që janë qeverisur nga kryebashkiakë të opozitës.
Ai tha se gjatë qeverisjes së PS janë dyfishuar të ardhurat për frymë dhe se objektivi brenda vitit 2030-të, është që paga minimale në vend të jetë të paktën 60 mijë lekë.
“Kemi dyfishuar të ardhurat për frymë në Shqipëri. Ambicia ime është që brenda 2030 të kemi një pagë minimale të paktën 60 mijë lekë. Pavarësisht ngecjeve apo rrëzimeve gjatë rrugës, jo që këto nuk bëhen por vendi kthehet përsëri prapa. Siç është kthyer sa herë që ata tjerët kanë marrë në duart e tyre duart e tij, Vota për të tjerët ka sjellë si rregull më shumë dëme sesa të mira. Dëme tejet serioze krejt të pariparueshme, apo dëme që kanë dashur vite të riparohen. Padyshim që edhe ne nuk e kemi bërë mirë çdo gjë, por asgjë me dëm serioz për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk kemi bërë. Bilanci ynë është pozitiv në raport me të gjitha kontratat tona zgjedhore. Ne jemi fuqia e ndryshimit në këtë vend. Kudo që zgjedhësit të na e besojnë votën e tyre, ne bëjmë atë që tjerët nuk munden ta bëjnë.
Nuk është ekzagjerim kjo që po them, le të dalë dikush dhe të na tregojë një bashki të vetme në harkun e 30 viteve, ku vota për ata të tjerët ka sjellë ndryshim dhe përparim. Më besoni, kam kërkuar me mend jo një herë dhe nuk e gjej asnjë. Është i njëjti avaz si në Shkodër, kudo tjetër ku vota ka shkuar në drejtim tjetër. Shikoni Lezhën sot dhe imagjinojeni larg qoftë nesër Lezhën me po ata që sot janë ku e ku më keq nga çfarë ishin dje”-tha Rama.
Demonizimi i kundërshtarit
Kryeministri Edi Rama është shprehur se PS është ardhmja, e ndërsa Ilir Meta dhe Sali Berisha janë e shkuara. Ai tha se Berisha dhe Meta duan që të marrin peng Bashkitë për t’u mbrojtur nga drejtësia.
“Duan të marrin peng sa më shumë Bashki, sa më shumë Shqipëri, shqiptarët për, t’u mbrojtur nga drejtësia që votonin, por që ka më pak shans që të harrojë. Unë sot nuk kam asnjë këshillë më të mirë për t’iu dhënë demokratëve për hir të asaj që ishte PD, sesa t’ju them mos e lidhni fatin me qytetet tuaja, fatin e pastrimit, të qendrave shëndetësore, të hapësirave të gjelbrat me dy hije të se kaluarës që rrezikojnë t’ju ndajnë nga treni i zhvillimit kombëtar, t’ju hedhë në erë urat e bashkëpunimit. Ua them demokratëve në të gjithë Shqipërinë, sidomos në Shkodër dhe zona të tjerët, se në pjesën dërrmuese demokratët dhe kur gabojnë i ndihmojnë socialistët t’i mbajnë në rrugën e duhur. Me o se pa ju Shqipëria do ecë përpara.
Kandidatët tanë nuk janë të rënë nga qielli, por kemi provën se asnjëri prej tyre nuk është aq mendërisht i lënduar si ata që i japin fytyrën, zërin, karrierën në dispozicion 2 hijeve që turpërojnë Shqipërinë. Ne kemi ardhur në kohën kur punët tona po flasin për ne më shumë se sa fjalët. Njerëzit përtej afërsisë me PS, presin prej nesh me plot të drejtë shumë më shumë sesa mund të presin edhe ata që janë shumë larg PS. Njerëzit ne nuk na falin fijen e flokut, e ndërsa atyre nuk ua vënë re as lëkurën e ujkut, se s’kanë asnjë vlerë. Vetëm forcë për të bërë dem. Njerëzit i kanë lënë ato mbrapa se janë kufoma të një të shkuare që nuk bëhet me e ardhme”, tha Rama