Historia e Xhoit, vajzës 22-vjeçare nga Kenia, të cilës vendi ynë i mori jetën në lule të rinisë, në mënyrë krejtësisht të padrejtë dhe mizore rikthehet sërish. Kanë kaluar 8 muaj nga ngjarja e rëndë e 13 gushtit të vitit të kaluar, por drejtësia ende nuk është vendosur. Xhoi sot nuk jeton më, ndërsa nëna e saj po vuan dhe ka një brengë të madhe, ajo kërkon drejtësi për vajzën e saj.
“Kush e vrau Xhoin?”
Kanë kaluar dy muaj që Xhoi ndërroi jetë dhe 8 muaj nga ngjarja që i solli asaj vdekjen. Autoritetet vijojnë ende hetimet, por ende asnjë rezultat. Përse po zgjatet kaq shumë çështja e vajzës keniane? Përse drejtësia nuk ka folur në një kohë kaq të gjatë? Ne do të tregojmë sërish se çfarë po ndodh me historinë e Xhoit, çfarë është zbuluar deri më tani dhe çfarë e shkaktoi vdekjen e saj.
News24 e BalkanWeb kanë siguruar raportin e vdekjes së Xhoit nga spitali i Kenias, ku ajo frymoi për herë të fundit. Raporti thotë se Xhoi ndërroi jetë më 13 shkurt 2022 në orën 06:00 të mëngjesit në Spitalin Universitar Kenyatta ndërsa po merrte aty trajtimin mjekësor.
Autopsia e vdekjes është bërë më datë 15 shkurt 2023, dhe në të thuhet se vajza ka hematoma kranike në pjesën e sipërme të trurit të vogël me shenja nekroze dhe ënjtje. Po ashtu mushkëria e djathtë ka 60% ngjitje në murin e kraharorit dhe strukturën përreth si pasojë e goditjeve që ka marrë.
Rezultati përfundimtar i raportit të vdekjes së Xhoit thotë se shkaku i vdekjes ishte edema e trurit për shkak të dëmtimit të kokës nga përplasja dhe goditjet me forcë. Truri i Xhoit ishte i fryrë dhe i mbërthyer në kafkë, thuhet në raportin e vdekjes.
Pra, sipas raportit, truri i Xhoit nga dëmtimet e rënda dukej sikur kishte vdekur dhe nuk kishte asnjë shans për të mbijetuar dhe se ajo ishte pothuajse e vdekur kur arriti në Kenia. Sipas përshkrimit në raport, për shkak të hematomave të rënda kuptohet që mjekët nuk mund të bënin asgjë për ta mbajtur Xhoin në jetë. Në raportin e vdekjes thuhet se vajza ndërroi jetë prej dëmtimeve të rënda që ka marrë si pasojë e dhunës së ushtruar mbi të. Pra ky raport vërteton faktin se kemi të bëjmë me një vrasje dhe se kushdo që e ka sulmuar Joyn duhet të mbajë përgjegjësi për vdekjen e saj.
Le t’i rikthehemi edhe njëherë ngjarjes.
Çfarë ndodhi rreth orës 4 pas mesnatës të 13 gushtit në dhomën e Xhoit, kush ishin personat që u futën brenda dhomës së vajzës 22-vjeçare? Grupi hetimor ka prova se e gjithë ngjarja është zhvilluar në banesën ku jetonte Xhoi. News24 mëson nga burime të sigurta pranë grupit hetimor se brenda dhomës së Joyt ka qenë më shumë se një person. Pra, kjo ngjarje ka autorë dhe bashkëpunëtorë. Ka dyshime të forta se Xhoi është dhunuar nga më shumë se një njeri. E gjithë ngjarja është zhvilluar nga ora 03:30 minuta deri në orën 06:30 kur në banesë mbërriti shoqja e dhomës së Xhoit, Emili Mutua.
Çfarë roli ka Emili në këtë histori, shoqja e dhomës së Xhoit, e cila u kthye nga puna mëngjesin e 13 gushtit dhe nuk e gjeti Xhoin në banesë? Përse më pas ajo i kërkoi shoqes së ngushtë të Xhoit paswordet e dy telefonave të saj? Joy Brenda shoqja e 22-vjeçares konfirmon faktin se Emili i ka marrë paswordet e telefonave te Joyt.
“Është e vërtetë që Emili më ka telefonuar dhe më ka kërkuar passwordin e telefonave të Xhoit.
Më telefonoi e më tha se pranë saj ishte policia dhe se kërkonin të dinin passwordet e Xhoit, sigurisht nëse i kisha. Ne përdornim të njëjtin password me Xhoin dhe ia dhashë policisë, në mënyrë që të ndihmoja në hetim sepse bisedat janë në telefon dhe policia mund të shikojë çdo person me të cilin bisedonte Xhoi. Kështu që isha e vetëdijshme që do të ndihmoja në hetimin e ngjarjes. Nuk më kujtohet data e saktë apo dita që ma kërkuan paswordin sepse ka kaluar pothuajse një vit, por Emili më tha që ishte me policinë dhe se policia po kërkonte fjalëkalimin e telefonit. Pasi dhashë kodin, nuk kam biseduar më me Emilinë në lidhje me ngjarjen. Nuk e kam pyetur kurrë Emilinë në lidhje me këtë ose nëse di diçka. Ne nuk kemi folur kurrë për Xhoin”, ka deklaruar Joy Brenda, shoqja e 21-vjeçares që u vra.
Pyetja që lind është çfarë kërkonte të shihte Emili në telefonat e Xhoit apo çfarë donte të fshinte nga dy telefonat? A është e vërtetë që Emili i kërkoi paswordet e telefonave të Xhoit në prani të policisë në orën 1 të natës së 14 gushtit kur bëri edhe denoncimin për zhdukjen e shoqes së saj të dhomës? Përse policia duhet t’i kërkonte Emilisë të telefononte Xhoi Brendën për të marrë kodin e telefonave të Xhoit, kur kjo është një procedurë që policia mund ta bënte vetë? News24 ka informacione se Emili i ka kërkuar Xhoi Brendës paswordet e telefonave te Xhoi Ayokos para se të shkonte në polici dhe të bënte kallëzim, madje mund të tregojmë edhe paswordin me të cilin u hap telefoni i Xhoit, ai ishte 14 78 52. Pra, vetë shoqja e Xhoit, Xhoi Brenda vërtetoi se Emili i mori kodet e telefonave të Xhoit. Por edhe nëna e Xhoit, Ruth Abongo më parë shpjegoi se si veproi Emili, duke hedhur dyshime të forta si bashkëpunëtore në fshehjen e provave të ngjarjes.
DËSHMIA E NËNËS SË EMILI, RUTH ABONGO
Menaxheri ka telefonuar Emilinë në orën 14:30 të drekës dhe e ka pyetur “Si je Emili? Xhoi nuk ka ardhur në punë dhe ajo i kthehet “Me sa shoh nga krevati i saj, duket sikur diçka e frikshme ka ndodhur. Xhoi nuk është në krevat dhe krevati është njësoj siç e gjeta në mëngjes. Unë ndihem e frikësuar”. Dhe menaxheri i thotë, “nëse ka diçka që nuk shkon, çfarë mund të jetë? Atëherë më prit sa të vij në shtëpi”. Emili i thotë, “jo mos hajde në shtëpi, më lër të vij te zyra sepse jam e frikësuar dhe më pas kthehemi të dy në shtëpi”.
Emili shkon në kompani duke e lënë shtëpinë ashtu siç ishte dhe më pas kthehet në banesë me tre menaxherë: menaxherin që e kishte marrë në telefon, menaxherin e turnit dhe një tjetër menaxher. Pra, vijnë tre menaxherë dhe Emili. Ajo që nuk kuptoj është se Emilija i telefonoi Xhoi Brendës dhe më pas ose Emilija, ose Xhoi Brenda i telefonuan shoferit sepse sipas Emilisë, në kohën që ajo po kthehej në shtëpi ajo takoi shoferin në zyrë. Mes shumë shoferëve që kompania ka, pse ata i telefonuan këtij shoferi atë ditë? Xhoi Brenda i telefonoi shoferit pasi Emili i kishte telefonuar Xhoi Brendës për ta pyetur nëse Xhoi ishte me të sepse të dy telefonat e saj gjendeshin në banesë dhe shtrati i saj ishte rrëmujë.
Duket sikur ka pasur një luftë dhe diçka e keqe mund të ketë ndodhur. Duke qenë se Xhoi Brenda e dinte për shoferin, Xhoi Brenda i telefonon shoferit dhe e pyet a është me Xhoin. A ke ndonjë informacion sepse ajo nuk është në shtëpi. Më pas Xhoi Brenda i jep Emilisë paswordin për telefonat e Xhoit pasi të dy telefonat e saj ishin mbi shtrat. Emilia nuk e dinte paswordin por Xhoi Brenda duke qenë shoqe e ngushtë me vajzën time e dinte kodin. Nuk e di pse Emili nuk më tregoi për arsyet se përse ajo hapi telefonat e Xhoit. Por ajo kontrolloi të gjithë komunikimet që ishin në telefon.
Këtë fakt mund ta vërtetojë edhe policia me prova, duke hapur tabulatet telefonike. Nëse Emili i kërkoi Xhoi Brendas kodin e telefonave para se të shkonte në polici, atëhere Emili di të gjithë të vërtetën e asaj që ndodhi me Xhoin. Për veprimet që ka kryer Emili sipas ligjit ka konsumuar veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe nuk duhej të ishte e lirë.
Po ashtu shoqja e saj e ngushtë e Xhoi Ayokos, Xhoi Brenda thotë se edhe pse ishte shoqe me Xhoin ajo nuk dinte çdo gjë rreth jetës së saj, pasi nuk jetonin bashkë dhe se nëse do të jetonin bashkë ajo do të dinte më shumë se çfarë ndodhi me shoqen e saj. Mesazh ky i Xhoi Brendës për të thënë që Emili di të vërtetën, Ndërkohë, siç dihet Xhoi Ayoko jetonte me Emilinë.
DËSHMIA E SHOQES XHOI BRENDA
Shumë nga ju mendoni se ne dimë gjithçka. Edhe pse unë jam shoqja e saj, nuk di shumë gjëra. Kam pyetur veten, në një situatë si kjo, mund të mendoj se ajo po takonte këtë ose atë person, por nuk e di se ne as nuk jetonim së bashku. Po të kishim jetuar së bashku do të kishte qenë më ndryshe sepse Xhoi ishte një vajzë që fliste. Kur dilte, do më thoshte, Xhoi unë po dal ose do të shkoj të takoj këtë person, ose po shkoj për të pirë diçka me këta shokë.
Por unë nuk ishte e gatshëm për të sepse isha e zënë në punë dhe pastaj isha e zënë me jetën time personale kështu që ne takoheshim vetëm në punë, përshëndeteshim dhe kaq sepse ishim nga departamente krejt të ndryshme. Ne po bënim gjëra krejt të ndryshme në kompani kështu që këtë doja të sqaroja sepse njerëzit thonë se unë kam shumë informacion por që nuk i jap këto informacione. Pse duhet ta mbaj informacionin të fshehtë për një mike të cilën e kam humbur. Nuk ka kuptim, apo jo. Dua ta sqaroj këtë, mos mendoni se kur njerëzit janë miq mund të dinë gjithçka për njëri-tjetrin. Po të pyesësh miqtë e mi nuk do të dinë gjithçka për marrëdhëniet e mia sepse nuk dinë gjithçka. Ata dinë vetëm atë që unë dua që ata të dinë.
Më parë nëna e Xhoit Ruth Abongo në intervistën për News24 deklaroi se 4 ditë para ngjarjes Xhoi udhëtoi në Durrës me shoferin. News24 ka mësuar se në këtë udhëtim ka pasur edhe persona të tjerë dhe ky fakt është edhe në dosjen hetimore. Sipas nënës së vajzës atë ditë pas kthimit nga Durrësi Xhoi kishte bllokuar në telefon shoferin dhe se të nesërmen ai kishte këmbëngulur që të kontaktonte sërish me Joyn dhe kishte folur me shoqen e 22-vjeçares Joy Brendën, një ditë pasi ata kishin qenë në Durrës.
“Të martën, Xhoi Brenda (shoqja e Xhoit) po shkonte për të punuar më duket dhe është me këtë shoferin në makinë. Ai i thotë Xhoi Brendas që shoqja jote më ka bllokuar në çdo aplikacion. Si mund ta kontaktoj atë? Dhe Xhoi Brenda i thotë “Është mënyra jote ofensive. Në Kenia ne nuk i ndjekim vajzat në këtë mënyrë. Mënyra se si e ke trajtuar Xhoin nuk është e drejtë. Ky është një konfirmim që shoferi u bllokua të hënën.
Kur e pyesim Xhoi Brendën për këtë fakt, ajo nuk preferon të komentojë dhe jep një përgjigje duke thënë se nuk ka informacion, duke lënë të kuptohet se nuk do që të përmendë emra.
Nuk do të bëj komente në lidhje me Xhoin, e cila bllokoi shoferin e kazinosë. Sa i përket pyetjes që më është bërë, ka të bëjë me Durrësin. Une nuk di gjë për këtë, di vetëm për bllokimin që ndodhi shumë kohë përpara. Nuk kishin kaluar shumë muaj, ne ishim ende të reja në këtë vend dhe di vetëm për atë bllokim. Sa i perket për ndonjë bllokim në Durrës nuk kam asnjë ide sepse unë di vetëm për atë bllokim që ndodhi shumë kohë përpara, por sërish Xhoi i bëri bllok shoferit, por pas një jave e kishte zhbllokuar dhe ishin bërë miq. Vetëm për atë bllokim di, ndërsa për bllokimin në Durrës nuk kam asnjë informacion.
Grupi hetimor po i heton të gjitha pistat, njohjet që kishte Xhoi, miqtë e saj dhe shqetësimet që ajo kishte shfaqur te shoqëria. Ne kontakuam me Stephanie shoqen e Xhoit e cila jeton në Kenia, por ajo nuk na u përgjigj edhe pse e lexoi mesazhin. Ajo ka folur me Xhoi pak para ngjarjes, siç ajo e thotë vetë në shënimin që kishte bërë në go-fundme për mbledhjen e fondeve për shoqen e saj që ajo e konsideron si motër. “Isha në një video-telefonatë me shoqen time më të mirë kur ajo sapo ishte kthyer në shtëpi nga puna dhe telefoni i saj u mbyll! Dy ditë më vonë, që do të ishte përvjetori i saj i gjashtë muajve në Shqipëri, ku shkoi për të punuar, ajo u gjet poshtë pallatit ku banonte ku ishte lënë të vdiste”, shkruan Stephanie.
Stephanie zotëron edhe një video që ia ka dërguar Xhoi, ku ajo i thotë se ndjehet e kërcënuar nga një person. Këtë video Xhoi ia ka dërguar ditën që është kthyer nga udhëtimi në Durrës me shoferin e kazinosë, 4 ditë para ngjarjes. A e ka kontaktuar grupi hetimor Stephanie si një nga personat e fundit që ka folur me Xhoin?
Në intervistën e parë për News24 nëna e Xhoit foli edhe për njohjen e vajzës së saj më një biznesmen, për të cilin ajo tha se nuk asnjë lidhje me ngjarjen. Të njëjtin fakt e pohon edhe shoqja Xhoi Brenda, e cila thotë se marrëdhënia e Xhoit me këtë person ishte shumë e mirë dhe se e pëlqenin njëri-tjetrin dhe se biznesmeni nuk ka lidhje me kazinonë dhe se nuk e ka njohur aty”, deklaron nëna e Joyt.
“Sa i përket të dashurit të Xhoit, sipas historisë që di, Xhoi nuk e takoi dhe nuk u njoh me të në kazino. E takoi atë jashtë kazinosë dhe marrëdhënia e tyre, kur unë i pashë, Xhoi e pëlqente shumë djalin dhe djali dukej person shumë i këndshëm. Sipas meje, ai dukej djalë shumë i mirë dhe kishin një marrëdhënie të mirë me Xhoin dhe nuk mund të komentoj shumë, sepse marrëdhënia është mes dy personave. Marrëdhënia ishte mes tyre dhe unë nuk mund të di shumë gjëra, por ajo që di është Xhoi e pëlqente djalin dhe ai djali e pëlqente Xhoin. Marrëdhënia ishte e mirë”, ka thënë shoqja e Joyt, Joy Brenda.
Kur jemi interesuar pranë grupit hetimor për vijimësinë e hetimeve, përgjigja që kemi marrë është se po punojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe se po këqyrin të gjitha provat që mund të hedhin dritë rreth të vërtetës. Pyetja që shtrohet është, a ka grupi hetimor të gjitha provat që mund të zbardhin të vërtetën? Hetuesit kanë dy telefonat e Xhoit të cilat janë në proces ekspertimi, rrobat që kishte veshur Xhoi kur ndodhi ngjarja, pasi në to mund të gjenden profile ADN-je të autorëve.
Po ashtu pamjet filmike të ambasadës turke të cilat janë sekuestruar dhe kanë filmuar hyrje daljet në rrugën që të çon në rezidencën ku jetonte Xhoi. Hetuesit kanë edhe përgjigjen e Institutit të Mjekësisë Ligjore për akt-ekspertizën, që fillimisht u bë nga një mjek dhe më pas është kërkuar më datë 9 shtator 2022 nga grupi hetimor që të bëhet nga tre mjekë.
Ekspertiza e dytë tashmë zotërohet nga grupi hetimor dhe ka në një përgjigje. Pra, provat janë në dorë të hetimit, por një provë e rëndësishme nuk ndodhet në Shqipëri, ajo është në Kenia. Është laptopi i Xhoit, të cilin e zotëron nëna e saj Ruth Abongo. Laptopi nuk është sekuestruar dhe është e çuditshme pse një provë kaq e rëndësishme nuk është kërkuar nga prokuroria që të merret si provë në hetim.
Në laptop ndodhen të hapura të gjitha rrjetet sociale të Xhoit dhe komunikimet e saj, po ashtu është i hapur edhe e-maili i vajzës, me të cilin është regjistruar edhe account i telefonit të Xhoit. Në back up-in e gmail ka shumë prova që mund të zbardhin të vërtetën. Kjo provë ndodhet në duart e nënës së Xhoit, e cila po pret nga autoritetet shqiptare që të bëhet drejtësi për vajzën e saj.
Pas këtyre provave i takon autoriteteve shqiptare të zbardhin këtë ngjarje tepër të rëndë dhe të vendosin autorët përballë drejtësisë.
VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e BW