Vendosni fjalën kyçe....

Shpifje për zgjedhjet e vitit 2020, të dhëna të reja dalin në dritë në padinë ndaj Fox News


Avokatët mbrojtës të kanalit televiziv Fox News, i akuzuar për shpifje lidhur me pretendimet e rreme për zgjedhjet e vitit 2020, kanë mbajtur të fshehura të dhëna të rëndësishme për rolin që themeluesi i kompanisë, Rupert Murdoch luajti në kanalin televiziv Fox News, një zhvillim që zemëroi gjykatësin e çështjes pas daljes në dritë të informacioneve gjatë një seance të martën.

Nuk është e qartë nëse ky zhvillim do të ndikojë në procesin gjyqësor të planifikuar të fillojë të enjten me përzgjedhjen e jurisë, përcjell VOA.

Kompania “Dominion Voting Systems” e ka hedhur në gjyq kanalin televizv Fox News dhe kërkon një dëmshpërblim prej 1.6 miliardë dollarësh. Kompania Dominion e akuzon kanalin Fox News për dëmtim të reputacionit të saj duke transmetuar vazhdimisht pretendime të rreme se kompania ndihmoi në orkestrimin e manipulimeve që i kushtuan rizgjedhjen ish-Presidentit Donald Trump.

Roli i drejtuesve të lartë të kanalit televiziv Fox News është në qendër të çështjes.

Avokatët e kompanisë janë përpjekur të izolojnë anëtarët e familjes Murdoch dhe të pengojnë dëshmitë e tyre para jurisë, duke argumentuar se rolet e tyre në kompaninë mëmë, Fox Corp., nuk kanë të bëjnë me ato që transmetohen në kanalin televiziv Fox News, në këtë rast, për pretendimet për mashtrime në zgjedhje.

Kur firma Dominion ngriti padinë në vitin 2021, kompania mëmë Fox Corp. pohoi se zoti Rupert Murdoch nuk kishte asnjë rol zyrtar tek Fox News.

Në dokumentet e paraqitura në gjykatë, kompania “Fox Corp” rendiste si drejtues të lartë të kanalit televizv Fox New, Suzanne Scott, Jay Wallace dhe Joe Dorrego. Por të dielën, avokatët e firmës Dominion mësuan nga pala kundërshtare, se zoti Murdoch kishte rolin e drejtuesit ekzekutiv të kanalit televiziv Fox News. Të dhënat e reja dolën në dritë pasi gjykatësi Eric Davis ngriti pyetjen se kush janë drejtuesit e lartë të kanalit televiziv Fox News.

Gjykatësi Davis shprehu shqetësim lidhur me daljen në dritë të këtij fakti të ri në prag të fillimit të gjyqit. “Problemi është se disa herë më është thënë se ai nuk është drejtues i lartë”, tha gjykatësi.

Gjykatësi Davis sugjeroi se po të ishte në dijeni për rolin e dyfishtë të zotit Murdoch në Fox Corp. dhe Fox News, vendimi i tij muajin e kaluar mund të kishte qënë ndryshe.

Në atë vendim, gjykatësi tha se nuk kishte asnjë dyshim se deklaratat e transmetuara nga Fox News ishin të rreme, por i takonte jurisë të vendoste nëse Fox News veproi me keqdashje të vërtetë dhe nëse Fox Corp. pati rol në transmetimin e këtyre deklaratave të rreme.

Gjykatësi Davis i tha avokatit të Fox News, Matthew Carter, se ekipi i tij kishte probleme me besueshmërinë. Avokati reagoi duke thënë se besonte se roli i zotit Murdoch në Fox News ishte thjeshtë “kryetar nderi”.

Është e paqartë nëse gjykatësi do të ndërmarrë ndonjë veprim në përgjigje të daljes në dritë të të dhënave të fundit. Por një avokat për firmën Dominion tha se ai donte që Fox News të shpjegonte më tej rolin e zotit Murdoch tek rrjeti i lajmeve. Ai tha se kjo çështje mund të shfaqet gjatë seancës paraparake që vazhdon të mërkurën.

Avokati i kompanisë Dominion, Justin Nelson, i tha gjykatësit se dalja në dritë e të dhënave të fundit ka “një ndikim të madh” tek çështja. Ai tha se dështimi i Fox News për të treguar statusin e zotit Murdoch në kanalin Fox News e ka penguar firmën Dominion që të ketë qasje tek “një grup i tërë” informacionesh nga zoti Murdoch si një drejtues i lartë, të dhëna që ligjërisht firma Dominion duhet t’i ketë.

Të dhënat e mbledhura nga firma Dominion, si pjesë e padisë, tregojnë se disa drejtues të rrjetit televiziv shfaqnin dyshime kur flisnin privatisht, jo para kameras, lidhur me pretendimet për mashtrime zgjedhore, por megjithatë i lejonin të ftuarit për intervista t’i përsërisnin pretendimet në mënyrë të përsëritur pas zgjedhjeve të 2020.