Vendosni fjalën kyçe....

Shtetet amerikane të drejtuara nga demokratët po blejnë ilaçe për abortin mes pasigurisë ligjore – Politico


Kalifornia dhe shtetet e tjera demokrate po nxitojnë të grumbullojnë ilaçe për abortin mes pasigurisë në nivel federal për statusin e barnave.

Guvernatori Gavin Newsom tha të hënën se Kalifornia kishte siguruar 250,000 pilula misoprostol dhe kishte negociuar blerjen e deri në 2 milionë tw tjerave – masa e fundit nga një shtet që është përpjekur vazhdimisht të mbështesë abortin përballë ligjeve kufizuese diku tjetër, shkruan Politico.

Njoftimi vjen pas vendimit të një gjyqtari të Teksasit për të anuluar miratimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave për mifepristone, një ilaç tjetër që përdoret zakonisht në procedure e abortit.

“Ne nuk do t’u dorëzohemi ekstremistëve që po përpiqen t’i nxjerrin jashtë ligjit këto shërbime kritike të abortit,” tha guvernatori demokrat në një deklaratë.

“Aborti me ilaçe mbetet i ligjshëm në Kaliforni.”

Kalifornia kontraktoi me ANI Pharmaceuticals përmes nismws së shtetit për përballueshmërinë e barnave për të paguar pak më shumë se 100,000 dollarë për 250,000 dozat e para, me një mundwsi për të blerë më shumë me të njëjtin çmim prej rreth 43 cent për pilulë, sipas Zëvendës Sekretares së Çështjeve Ligjore, Julia Spiegel.

Farmacitë që nuk mund ta gjejnë vetë ilaçin mund të kërkojnë disa nga furnizimi i shtetit.

Hollwsitw janë ndarë me shtete të tjera që mund të duan të përfitojnë nga e njëjta marrëveshje.

Newsom nuk është i vetmi guvernator demokrat që blen me shumicë ilaçe për abortin. Javën e kaluar, guvernatori i Uashingtonit Jay Inslee njoftoi se shteti i tij kishte blerë 30,000 doza mifepristone përmes sistemit korrektues dhe 10,000 doza përmes sistemit universitar.

Guvernatorja e Massachusetts, Maura Healey njoftoi të hënën se shteti i saj do blinte afërsisht 15,000 doza mifepristone përmes sistemit universitar shtetëror dhe do ndante mënjanë 1 milion dollarë për të ndihmuar mjekët që kontraktojnë me shtetin të blinin pilulat.

Guvernatorja e Nju Jorkut Kathy Hochul tha të shtunën për CNN se do nxiste legjislacionin që do kërkonte që kompanitë e sigurimeve të mbulonin misoprostol.

Newsom e ka shpallur prej kohësh Kaliforninë si një ‘shtet të lirisë riprodhuese’, duke hapur një faqe interneti për të lidhur kërkuesit e abortit me shërbimet, duke përvetësuar para për të ndihmuar njerëzit me kostot e kryerjes së një aborti dhe duke u bashkuar me shtetet e tjera për të siguruar qasjen e abortit.

Misoprostol vepron duke shkaktuar kontraktime, kështu që mitra nxjerr çdo produkt të konceptimit qw shkakton shtatzëni. Zakonisht merret 24-48 orë pas mifepristonit, një ilaç që bllokon hormonin e progesteronit dhe përfundon shtatzëninë.

Një gjykatës në Teksas vendosi që miratimi 20-vjeçar i FDA-së për ilaçin duhet të bllokohej, një vendim që Departamenti i Drejtësisë u zotua menjëherë ta apelojë. Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore Xavier Becerra tha se administrata e Biden thjesht mund ta injorojë vendimin. Por në të njëjtën ditë, një gjykatës federal në Uashington vendosi në një çështje të veçantë kundër bllokimit të mifepristone.

Misoprostol mund të përdoret gjithashtu vetë për t’i dhënë fund shtatzënisë, gjë që mund të sigurojë një ndalesë nëse mifepristoni befas bëhet i paarritshëm.