Vendosni fjalën kyçe....

Arabia Saudite nis bisedime të rëndësishme me Sirinë


Ministri i Jashtëm sirian Faisal Mekdad udhëtoi në Arabinë Saudite të mërkurën, udhëtimi i parë i tillë që kur Riadi ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Damaskun në vitin 2012. Sipas një deklarate të përbashkët shtypi pas vizitës, Arabia Saudite ka mbështetur unitetin dhe integritetin sirian, ka dënuar terrorizmin dhe ka mbështetur një zgjidhje politike për luftën 12-vjeçare.

Ministri i Jashtëm saudit Princi Faisal bin Farhan Al Saud kishte ftuar kolegun e tij sirian në Jeddah për të diskutuar ‘përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike për krizën siriane që ruan unitetin, sigurinë, stabilitetin, identitetin arab dhe integritetin territorial të Sirisë duke i shërbyer gjithashtu interesave të popullit të saj vëlla’, thuhet në deklaratën e cituar nga agjencitë shtetërore të lajmeve të të dy vendeve.

Princi Faisal dhe Dr. Mekdad ranë dakord për nevojën për të adresuar çështjet humanitare dhe për të lejuar ndihmën ‘të arrijë në të gjitha zonat e Sirisë’, të krijojë kushte për kthimin e refugjatëve dhe të zhvendosurve dhe ‘të stabilizojë situatën në të gjithë territoret siriane’.

Të dy palët u angazhuan gjithashtu për rritjen e sigurisë dhe ‘luftimin e terrorizmit në të gjitha format e tij’ dhe ranë dakord për nevojën për ‘të mbështetur institucionet e shtetit sirian për të zgjeruar kontrollin e tij mbi territoret e tij për t’i dhënë fund pranisë së milicive të armatosura dhe ndërhyrjes së jashtme në punët e brendshme siriane’.

Disa pjesë të Sirisë veriore janë aktualisht nën kontrollin e militantëve të mbështetur nga Turqia, ndërsa zona në verilindje të lumit Eufrat mbahet nga milicitë kurde të mbështetur nga SHBA. Disa qindra trupa amerikane janë gjithashtu në vend.

Dy ministrat e Jashtëm diskutuan gjithashtu hapat e nevojshëm për të arritur ‘një zgjidhje politike gjithëpërfshirëse të krizës siriane’, në mënyrë që vendi të mund të kthehet në ‘vathën arabe’, thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.

Damasku dhe Riadi kanë filluar procedurat e nevojshme për të rifilluar udhëtimin ajror dhe shërbimet konsullore midis dy vendeve, ndërsa Siria falënderoi Arabinë Saudite për ndihmën humanitare të ofruar pas tërmeteve katastrofike të shkurtit. Pjesa më e madhe e ndihmës për Sirinë është penguar nga sanksionet e vendosura nga SHBA kundër Damaskut.

Arabia Saudite ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Sirinë në shkurt të vitit 2012, duke u bashkuar me SHBA-në në mbështetjen e militantëve që kërkuan të rrëzonin presidentin Bashar Assad. Me mbështetjen e Rusisë dhe Iranit, qeveria në Damask arriti të rezistojë ndaj milicive rebele.

Thashethemet se Riadi po përgatitej të ndryshonte kursin filluan të qarkullojnë muajin e kaluar, menjëherë pasi Kina ndërmjetësoi një marrëveshje midis Arabisë Saudite dhe Iranit për normalizimin e marrëdhënieve. Që atëherë, mbretëria ka nisur gjithashtu bisedimet e paqes për t’i dhënë fund konfliktit tetëvjeçar në Jemen.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e RT

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani