Vendosni fjalën kyçe....

Escobar: Berisha përfaqëson të shkuarën, nuk e heq non gratën me zgjedhje


Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA-ve për Çështjet Europiane Gabriel Escobar, në një intervistë për emisionin “Top Story” në Top Channel deklaroi se asnjë person i shpallur non grata nuk e ndryshon përcaktimin si i tillë me anë të zgjedhjeve.

Escobar u pyet për Berishës dhe tha se nuk ka ndodhur në asnjë vend që një person me anë të zgjedhjeve të ndryshojë përcaktimin e pozicionit të tij, pra të pastrojë figurën e tij politike.

Zyrtari amerikan tha se Shqipëria ka një të ardhme vërtet të jashtëzakonshme dhe duhet të fokusohet tek e ardhmja dhe jo të tërhiqet nga e shkuara, term me të cilin identifikoi edhe Berishën.

Pjesë nga intervista:

Grida Duma: E kuptoj. Zgjedhjet vendore – ka pasur një betejë dyvjeçare në opinionin publik dhe protagonistët, le të themi, politikë po e diskutojnë atë si politikë përçarëse. Mendoni për opozitën – Partinë Demokratike. Shumë thonë se kjo ka ardhur për shkak të shpalljes non-grata të Sali Berishës. Tani, Sali Berisha vazhdon të jetë në krye të një pjese të opozitës dhe po e quan veten kreun e saj. A ekziston ndonjë mundësi, siç shumë po përpiqen, të themi, të ushqejnë veten, a ka mundësi që për shkak të ngritjes të tij si pjesë e opozitës, të ketë një qëndrim të rishikuar për statusin non-grata të Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara ndonjëherë?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Para së gjithash, mendoj se pozicioni ynë për këtë individ të veçantë është shumë i qartë. Por unë do të thosha se nuk njoh asnjë person që përmes zgjedhjeve të ketë arritur të ndryshojë përcaktimin e pozicionit të tyre prej Departamentit të Shtetit sipas legjislacionit tonë. Po, thënë kjo, unë mendoj se Shqipëria ka një të ardhme vërtet të jashtëzakonshme dhe duhet të fokusohet tek e ardhmja. Dhe ka shumë njerëz që do të donin ta tërhiqnin atë në të shkuarën dhe unë nuk mendoj se ky është një vend ku Shqipëria dëshiron të shkojë.

Grida Duma: Pra ajo është e shkuara?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Nëse më pyet mua, patjetër, e shkuara.