Vendosni fjalën kyçe....

“Nga masat për reduktimet e kostove të strehimit te banesat sociale” – Meta prezanton programin për Politikat Sociale të Strehimit të PL


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka prezantuar sot Politikat Sociale të Strehimit të forcës së tij politike.

Ai ka renditur pesë pika ku do të fokusohet programi e Partisë së Lirisë, të cilat përfshijnë nga masat për reduktimin e kostove të strehimit te zgjerimi i programit për ndërtimin e banesave sociale.

“Do fokusohen në programet e subvencionimit për përfitim për strehim, por njëkohësisht dhe për investim për ndërtimin e banesave sociale.

1.Programi i subvencioneve apo përfitimit për strehim të zgjerohet jo vetëm për qiratë dhe për interesin e kredisë, por dhe për të reduktuar kostot e strehimit, si të ngrohjes etj, dhe niveli i financimit të rritet në masën 100 Milionë Euro, që i bie të jetë 0.56% e PBB, (barabartë me mesataren europiane).

2.Programi i investimeve për ndërtimin nga shteti të banesave sociale të zgjerohet për tu fokusuar jo vetëm për kriterin e të ardhurave, por të përfshihen edhe grupe specifike që kanë nevoja të veçanta strehimi, psh. familjet e reja, prindërit e vetëm, personat me aftësi të kufizuara ose me probleme shëndetësore, të moshuarit si dhe studentet. Financimi i këtij programi të rritet në masën 50 Milionë Euro, rreth 0.28% e PBB (barabartë me mesataren e financimit të programeve kryesore me vendet e BE –së).

3.Totali i fondit për politikat e strehimit të arrije ne nivelin e 0.84% e PBB, ose rreth 150 Milionë Euro, për dy programet e mësipërme nga 0.05% e PBB që është aktualisht.

Për Bashkinë e Tiranës e cila mban problematikën më të madhe për çështjen e strehimit social në rang kombëtar, propozojmë:

4.Të rritet fondi nga buxheti i shtetit dhe bashkëfinancimi i Bashkisë për politikat sociale të strehimit (subvencione dhe investime) në nivelin e 30% të totalit të financimit qe propozohet ne nivel kombëtar në rreth 33 milion Euro çdo vit, vetëm për bashkinë e Tiranës, nga 0.7 milion Euro që është aktualisht buxheti për strehim social në Bashkinë e Tiranës.

5.Të përmirësohet modeli i shpërndarjes së fondit te qeverise qendrore në formën e transfertës së kushtëzuar për strehimin, e llogaritur sipas kritereve të zbatuar nga Ministria e Financave në rastin e granteve të tjera.

6.Në Bashkinë e Tiranës, duhet të krijohet zë i veçantë në Buxhetin e Bashkisë, për fondet e nevojshme për strehimin e familjeve, banesat e të cilëve prishen për shkak të zbatimit të projekteve të interesit publik. Duke mos i trajtuar më si strehim social, por si garatim i domosdoshëm për strehimin e familjeve që preken nga programet urbanistike. Fondet për bonusin e tyre të strehimit të përballohen nga të ardhurat e taksës së ndikimit në infrastrukturë.

Me këto politika sociale të strehimit, të cilat 20-fishojnë numrin e përfituesve, do të krijohet përkujdesja e nevojshme që mungon aktualisht”, tha Meta.