Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Bërxullës përplasen me policinë, provojnë të futen brenda Hipotekës


Banorët e Bërxullës janë dyndur para zyrave të Hipotekës për të protestuar.

Protesta e tyre është shoqëruar me tensione teksa banorët kërkojnë të futen brenda godinës për të takuar drejtoreshën e institucionit Dallëndyshe Bici.

Banorët e Bërxullës protesojnë prej disa muajsh teksa kundërshtojnë projektin e rrugës Thumanë-Kashar.

Ata kërkojnë vlerësim të drejtë të pronës e dëmshpërblim sipas çmimeve të tregut. Banorët e mbledhur para Hipotekës janë shtyrë me policët duke u kërkuar atyre që të hapin derën e t’i lejojnë të futen brenda.

Gjatë protestës ata kanë akuzuar kryeministrin Rama, ministren Balluku e zyrtarët e tjerë të qeverisë teksa pohuan se mund të ngelen pa shtëpi nga projekti.

“Ligji funksionon për qytetarët e thjeshtë, jo për mafien e politikanët! S’ka shtet. Ne jemi në qiell të hapur, nga minuta në minutë mund të dalim në çadra. Punimet vazhdojmë, por projekt nuk ka. Duhet të bëhemi dallëndyshe si zonja Bici se nuk kemi ku të kalojmë. Duhet të fluturojmë që të kalojmë në anën tjetër. Nuk na japin përgjigje as Kryeministria, as ministria dhe kemi ngelur në qiell të hapur. Kërkojmë vetëm të zbatohet ligji dhe asnjë më tepër.” – tha një protestues.

Ndërkohë një tjetër banor tha shteti duhet të zbatojë ligjin e të drejtën e tyre duke paralajmëruar se nëse nuk do ketë reagim, ata do futen me forcë  brenda Hipotekës.

“Këtu pa dhënë ryshfetin nuk mbaron punë. U bëj  thirrje të mos vonohen, por të vijnë të flasin me ne dhe të mbarojmë punë. T’u japin shpjegim banorëve në terren sepse ndryshe nuk do të kenë shpëtim. Forca është fundi i logjikës, por nëse këta nuk pranojnë dialog do të hyjmë me forcë në Hipotekë.” – tha banori.