Vendosni fjalën kyçe....

“Çdo votë për Partinë Republikane do jetë votë për Këlliçin”- Mediu dhe PR hap fushatën zgjedhore në Tiranë


Partia Republikane hapi fushatën zgjedhore në Tiranë për zgjedhjet e 14 majit ku i pranishëm ishte edhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Belind Këlliçi.

Partia Republikane do dalë e vetme në zgjedhje për këshillat bashkiakë por do mbështesë kandidatët e koalicionit opozitar.

“Çdo votë në 14 maj për Nr. 4 Partinë Republikane në fletën e votimit për këshilltarë, do jetë dhe votë për Nr.5 Belind Këlliçin për kryetar Bashkie” ishte mesazhi i Republikanëve shqiptarë, të cilët hapën fushatën elektorale në Tiranë me këshilltarët e tyre, në mbështetje të kandidatit të opozitës Belind Këllici.

Në fjalën e tij kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu theksoi se: “Qeveria shkon përpara në interesat e saj, por duke lënë mbrapa shqiptarët pa shpresë, që zvarriten në pamundësinë për të ndërtuar lumturinë e tyre, mbrojtur liritë dhe të drejtat e tyre, ata dhunohen çdo ditë, skandali zëvendëson skandalin, e keqja është bërë dominante, hajdutëria shihet si vlerë, sharlatanizmi si kualitet, e mira dhe njerëzorja shihet si dobësi”.

Mediu i bëri thirrje të rinjve Republikanë që të: “Shkelmoni të keqen që ju pengon, respektoni të mirën që ju vlen. Tregoni që jeni, dini dhe bëni ndryshimin. Shihni tek njerëzit e politikës, njerëzit e gabueshëm, shihni brenda jush dëshirën e pagabueshme të dashurisë dhe lumturisë.

Të ngremë lart rolin tonë si individ, të mbrojmë familjen si themeli i shoqërisë sonë, të vendosim drejtësinë mbi pronën, të përulemi me respekt përballë të përndjekurve politik, të ulim taksat, të mbështesim biznesin, punësimin, të zhvillojmë ekonominë familjare dhe kombëtare, të kthehemi në shoqëri solidare dhe e mirësisë, dimë t`a bëjmë më mirë se qeveria, sepse e kemi pjesë të traditës sonë, të bëjmë përjashtimin nga taksat të çdo kontributi social, kulturor, artin, arsimin dhe shëndetësinë, të vlerësojmë besimin në Zot, si mundësi për të kuptuar jetën, lirinë dhe mundësitë, të gjejmë forcën morale për të ndarë të mirën nga e keqja.

Të jemi patriotë çdo çast të jetës sonë, të duam kombin dhe Shqipërinë, por të duam së pari dhe respektojmë njëri-tjetrin.
Vlerat e njerëzve patriotë dhe të ndershëm, janë mbështetja më e madhe për jetën tonë dhe Kombin”.

Kandidati për Kryetar Bashkie Belind Këlliçi pasi falënderoi Këshilltarët dhe Partinë Republikane theksoj se: “Kjo është një përballje me gjithë pushtetin dhe përdorimin e tij për qëllime politike, por qytetarët e Tiranës janë të vendosur për të fituar në 14 Maj, për të pasur një bashki që kujdeset për ta, një kryetar bashkie i cili do të respektojë cdo qytetar të Tiranës, të drejtat e tyre, vlerësoj dhe mbështes njerëzit në nevojë dhe do t`i shoh ata, jo si militant Partie, por si qytetarë dinjitozë, sepse bashkia u takon vetëm atyre dhe do të jem në shërbim të tyre në çdo çast”.

Ndërsa drejtuesi i listës së këshilltarëve të PR Albi Jahelezi theksoi se: “Ky është një bashkim i të rinjve, bashkim i Republikanëve dhe shqiptarëve. Bashkë për Shqipërinë! Të gjithë bashkë për Belind Këllicin! Çdo votë për Partinë Republikane për Nr. 4 në listat e partive do jetë dhe votë për Nr. 5 Belind Këlliçin për kryetar Bashkie”.