Vendosni fjalën kyçe....

Mediu: PS nuk i ofron dot më asgjë qytetarëve, tendenca e saj është pronarë mbi çdo gjë


Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu në një intervistë për Panorama Tv ka komentuar nisjen e fushatës zgjedhore të PS.

Mediu tha se ka një pjesë që lumturohet me atë qe i ofron partia, por tendenca e qartë e PS dhe qeverisë është një grup epror mbi shoqërinë, pronarë mbi çdo gjë. PS nuk ka më çfarë t’i ofrojë qytetarëve pasi realiteti që këta të fundit jetojnë çdo ditë tregon nevojë për ndryshim që duhet t’i pasqyrohet këtë herë nga opozita.

Përsa i përket shpërthimit me tritol në Vaun e Dejës, ndaj kreut të PD Benard Ndreca, Mediu tha se duhet të zbardhet sa më shpejt nga autoritetet në mënyrë që mos të krijohen shtigje për të thelluar më tej konfliktet.

Sakaq shtoi se këto sulme me tritol ndaj opozitës po shkatërrojnë procesin zgjedhore, dhe krimi i organizuar kërkon të intimidojë te votuesit për blerjen e votës.

Pjesë nga intervista:

“Ka një pjesë që lumturohet me atë qe i ofron partia, me një vend pune dhe kjo e ka përdorur shumë mirë përmes aktivistëve. Duhet të kuptohet se ka nevojë më shumë se një vend pune”.

Fushata nis sot zyrtarisht, por PS e ka nisur më herët ka shkelje të Kodit Zgjedhor?

PS do të bëjë atë që do edhe sikur ta ngremë ne, jemi të detyruar të respektojmë ligjin. Partia Republikane e ka nisur sot fushatën.

Do të bënit si PS?

Të gjitha partitë politike kanë zhvilluar aktivitete, opozita nuk duhet të hyjë në këto detaje specifike. Nuk do të sjellë ndonjë gjë me realitetin elektoral, duhet të ndërtojmë raport besimi me qytetarët.

Një fushatë me pemë, si e patë ju këtë?

Tendenca e qartë e PS dhe qeverisë është një grup epror mbi shoqërinë, pronarë mbi çdo gjë. Nëse shkulin për 4 vjet përpiqen të bëjnë një lojë sikur po mbledhin pemë. Shqipëria duhet të ishte e mbuluar me pemë, por është shkatërruar. Më shumë se janë mbjellë pemë janë mbjellë godina. Kjo është një lloj politike për të future qytetarin në një kurth që nuk ekziston, roli i kandidatëve të opozitës është që të tregojnë se çfarë nevojë për ndryshim kanë qytetet. Duke e zgjeruar raportin me paritë e tjera shkon në një marrëdhënie më të gjerë me qytetarët.

A ka PS program?

Më shumë se program, realiteti është i ndjeshëm në çdo darkë, në pamundësi për të pasur një familje të bashkuar pasi qytetarët kanë ikur, lirinë e pronës, tendenca për të kontrolluar pemë dhe çfarëdo metodologjie të përdoret për PS nuk ka zhvillim në mjedis ndryshe nga sa duan të paraqesin.

Në 12 prill kur u hap fushata e PS, pati dhe një shpërthim me tritol. Si e komentoni ju këtë?

Ruajtja e jetës së qytetarit është përgjegjësi e shtetit, raste të tilla në fushatë krijojnë precedent në fushatë që mund të vazhdojnë. Kemi një sulm politik ndaj kandidatit të opozitës, pra sulm ndaj opozitës. Në këtë pikëpamje përgjigja e institucioneve duhet të jetë sa më i shpejtë, ndryshe krijon shteg për të thelluar më tej konfliktet dhe të krijohen pasoja të paparashikueshme.

A kanë mjaftuar të gjitha reagimet për të zbardhur ngjarjen?

Nuk është se ka një prononcim të qartë nga institucionet, mendoj se duhet të flasin strukturat e prokurorisë pasi nuk është krim me tritol pasi po shkatërron procesin zgjedhor dhe vendosja e krimit të organizuar për të intimiduar votuesit dhe për të blerë vota.