Vendosni fjalën kyçe....

Biden punëson Lady Gaga-n në administratë


Lady Gaga ka gjetur një punë në administratën e presidentit amerikan Joe Biden. Këngëtares së njohur të popit i është besuar bashkëkryesimi i Komitetit për Artet dhe Shkencat Humane.

Në një deklaratë të enjten, Biden zbuloi se Lady Gaga do punojë së bashku me producentin e Hollivudit dhe fituesin e çmimit Oskar, Bruce Cohen.

Gjithashtu në komitet janë persona si Kerry Washington, Jon Batiste, George Clooney, Jennifer Garner, Troy Kotsur, Shonda Rhimes dhe Marta Kauffman.

Duke folur për Gaga-n, Biden e përshëndeti atë si ‘një nga muzikantet më të shitura, më të vlerësuara në histori’ dhe një aktore të talentuar. Presidenti përgëzoi gjithashtu ndjenjën e saj të veçantë të modës dhe përpjekjet në fushën e zhvillimit të kozmetikës vegane.

Sipas deklaratës, këngëtarja është angazhuar në mënyrë aktive edhe në filantropi dhe është një kampione e të drejtave LGBTQ dhe ndërgjegjësimit për shëndetin mendor.

Gaga iu përgjigj lajmit për emërimin e saj me një postim të shkurtër të premten, ku shkruhej “Faleminderit @POTUS, @PCAHgov”.

PCAH u themelua në vitin 1982 dhe ka për detyrë të këshillojë ‘presidentin për politikën kulturore’ me qëllim të rritjes së ‘mbështetjes federale për artet, shkencat humane dhe shërbimet muzeore dhe bibliotekare’.

Lady Gaga është një mbështetëse e zëshme e Presidentit Biden dhe e mbështeti atë në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Në përurimin e tij në janar 2021, ajo këndoi himnin kombëtar të SHBA-së.