Një peticion në internet që bën thirrje për anulimin e një dokumentari të ardhshëm të Netflix për Kleopatrën, Mbretëreshën e Mbretërisë Ptolemeike të Egjiptit, ka marrë dhjetëra mijëra nënshkrime mes akuzave se po ‘falsifikon historinë’ duke vendosur një aktore me ngjyrë në rolin kryesor.
Traileri për ‘Queen Cleopatra’, që debutoi në internet në fillim të kësaj jave përpara datës së publikimit më 10 maj, u shoqërua me një përshkrim në YouTube që pretendonte se ‘trashëgimia e Kleopatrës ka qenë objekt i shumë debateve akademike, të cilat shpesh janë injoruar nga Hollywood-i’.
Megjithatë, sipas autorëve të peticionit online të paraqitur në faqen e internetit Change.org, Hollivudi e ka errësuar debatin e vërtetë dhe e ka zëvendësuar atë me ‘Afrocentrizmin’ – i cili është përshkruar si ‘përqendrimi i identiteteve kulturore amerikane me ngjyrë në Afrikë dhe historinë afrikane’.
“Afrocentrizmi është një pseudoshkencë”, thuhet në peticion.
“Ata ende po përpiqen të falsifikojnë historinë.”
Përshkrimi i peticionit shpjegon se Kleopatra lindi në Aleksandri, Egjipt dhe ishte me origjinë greke.
“Ajo NUK ishte me ngjyrë të zezë”, shtohet, por paralajmëron që njerëzit ‘nuk duhet ta përdorin këtë në asnjë mënyrë apo formë për të qenë racist apo për të pasur paragjykim kundër njerëzve me ngjyrë’.
Kleopatra, e cila ishte gjithashtu me prejardhje maqedonase, sundoi në Egjipt për një periudhë 21-vjeçare midis viteve 51-30 pes para se të vdiste në moshën 39-vjeçare.
Ajo fliste greqishten koine si gjuhën e saj amtare, por ishte e vetmja udhëheqëse Ptolemaike që mësoi dhe rregullisht përdori gjuhën egjiptiane. Mbeten spekulime për shkakun e saktë të vdekjes së saj, por përgjithësisht pranohet nga historianët se ajo është vetëvrarë.
Aktorja britanike Adele James luan rolin kryesor në dokumentarin, i cili u prodhua nga Jada Pinkett-Smith, gruaja e aktorit Will Smith.