Vendosni fjalën kyçe....

Përplasje ushtarake në Sudan, ushtria sulmon milicinë paraushtarake, 3 viktima (Video)


Tre civilë vdiqën të shtunën në betejat midis paraushtarakëve sudanezë dhe ushtrisë së rregullt, e cila tha se filloi sulmet ajrore kundër tyre, duke nxitur thirrje globale për qetësi në një vend që është përballur me dekada trazirash.

Paraushtarakët thanë se kishin nën kontroll pallatin presidencial si dhe aeroportin e kryeqytetit Khartoum, pretendime të mohuara nga ushtria, pasi udhëheqësit civilë kërkuan një armëpushim të menjëhershëm për të parandaluar ‘shkatërrimin e plotë’ të Sudanit.

“Forcat ajrore sudaneze shkatërruan kampet Tiba dhe Soba në Khartoum që i përkasin milicisë së Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF),” thuhet në një deklaratë.

Deklarata shtoi se ushtria e rregullt po ndiqte luftëtarët e RSF-së dhe u kërkoi civilëve të qëndronin brenda.

 

Shefi paraushtarak i Sudanit është zotuar se do luftojë derisa të kapen të gjitha bazat e ushtrisë. Më parë, RSF pretendoi se kishte marrë pallatin presidencial, rezidencën e shefit të ushtrisë dhe aeroportin ndërkombëtar të Khartoum.

Sindikata e mjekëve raportoi tre vdekje civilësh ndërsa të paktën nëntë persona u plagosën. Dhuna shpërtheu pas javësh të thellimit të tensioneve midis udhëheqësit ushtarak Abdel Fattah al-Burhan dhe zëvendësit të tij, komandantit paraushtarak Mohamed Hamdan Daglo, lidhur me integrimin e planifikuar të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake të Daglo (RSF) në ushtrinë e rregullt.

Integrimi ishte një element kyç i bisedimeve për të përmbyllur një marrëveshje që do e kthente vendin në sundim civil dhe do t’i jepte fund krizës politike dhe ekonomike të shkaktuar nga grushti i shtetit të tyre të vitit 2021 në një nga vendet më të varfra në botë.