Vendosni fjalën kyçe....

Organizuan gara shpejtësie në Mullet, policia gjobit 11 drejtuesit e mjeteve


Policia e Tiranës ka parandaluar një garë shpejtësie me makina që ishte planifikuar nga 11 drejtues mjetesh në Mullet.

Sipas njoftimit të policisë, ndaj 11 shoferëve janë vendosur gjoba deri në 400 mijë lekë të vjetra, për organizimin dhe pjesëmarrjen në këtë aktivitet të paligjshëm.

 

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, në vijim të punës për ndëshkimi e të gjitha shkeljeve të qarkullimit rrugor, që bëhen rrezik potencial për përdoruesit e rrugës, pas konstatimit në rrjete sociale, të disa thirrjeve për gara shpejtësie për automjete tip “Benz”, në rrugën Tiranë-Elbasan, në Mullet, kanë organizuar punën për identifikimin dhe shoqërimin e drejtuesve të automjeteve.

Për 11 drejtuesit e automjeteve të konstatuar duke bërë gara shpejtësie u vendosën masa administrative nga 15 000 deri në 40 000 lekë të rinj, parashikuar nga neni 9, i Ligjit Nr. 8378, datë 22.07.1998, të Kodit Rrugor.

Krahas masave administrative për gara shpejtësie, për tre prej tyre, u vendosën masa dhe për xhamat e zinj të errësuar.