Vendosni fjalën kyçe....

Mbledhjet e FMN dhe BB, Sejko: Tregu bankar shqiptar, i shëndetshëm dhe larg rreziqeve


Në datat 12-15 prill 2023, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Uashington.

Gjatë takimeve me përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së, Guvernatori Sejko i njohu të pranishmit me zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare. Ai u shpreh se ekonomia jonë i rezistoi mirë goditjeve të njëpasnjëshme nga tërmeti, pandemia dhe pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë, të cilat nisën gjatë vitit 2022 dhe vijojnë të jenë ende të pranishme.

“Banka e Shqipërisë ka garantuar stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, duke rritur normën bazë të interesit në përputhje me objektivin e saj kryesor për të luftuar inflacionin. Këto vendime për të rritur normën, kanë qenë të udhëhequra nga analiza dhe parashikime të kujdesshme, të bazuara në informacionet më të fundit, si dhe të orientuara nga ruajtja e balancave të duhura midis rreziqeve për ekonominë e vendit. Pavarësisht situatave sfiduese, politikat ekonomike të ndjekura nga Banka e Shqipërisë kanë ndihmuar në ruajtjen e një niveli relativisht të ulët inflacioni krahasuar me vendet e rajonit, në uljen e pasigurisë, si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar në vend. Inflacioni ka filluar kurbën rënëse, duke arritur në 5.3% në muajin mars. Ai pritet ta vijojë këtë trajektore gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024,” tha ai.

Lidhur me tregjet financiare, Guvernatori Sejko u shpreh se ato mbeten të qeta, edhe në prani të shtrëngimit global të kushteve të financimit. Sektori bankar paraqitet likuid, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës. Në veçanti, treguesit e likuiditetit dhe ata të kapitalizimit të këtij sektori mbetën të kënaqshëm dhe raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit shënoi vlerën 18.1% në fund të vitit 2022.

Interesit të përfaqësuesve të FMN-BB për ekspozimin e sistemit bankar shqiptar ndaj falimentimeve të fundit të bankave në Amerikë dhe Evropë, Guvernatori Sejko iu përgjigj se Banka e Shqipërisë ka monitoruar nga afër tregjet ndërkombëtare dhe tregu shqiptar qëndron larg këtyre rreziqeve dhe për më tepër, provat e rezistencës dhe analizës të kryera, tregojnë se bankat e nivelit të dytë janë mjaft të shëndetshme. Por, sipas tij, Banka e Shqipërisë mbetet vigjilente për të garantuar respektimin e kritereve të rrezikut dhe normave mbikëqyrëse rregullatore.

Përsa i përket kreditimit të ekonomisë, Guvernatori shtoi se ai është mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit në vend. Sektori bankar ka vijuar të ofrojë kushte e terma të favorshëm kreditimi, me një rritje vjetore të kredisë prej mesatarisht 14% gjatë vitit 2022. Në të njëjtën kohë, cilësia e portofolit të kredisë vijon të mbetet e shëndetshme, sikundër ilustrohet edhe nga treguesi i kredive me probleme, i cili mbetet në nivelet më të ulëta të dekadës së fundit.

Përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së e vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, në zhvillimin makroekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit. Ata pranuan se Shqipëria i ka kaluar mjaft mirë krizat e njëpasnjëshme, madje edhe më mirë nga sa ishte parashikuar dhe për këtë Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol vendimtar. Më tej, ata inkurajuan Bankën e Shqipërisë të vijojë monitorimin e vazhdueshëm të situatës, si dhe koordinimin e politikave nga autoritetet shqiptare, duke marrë masat e nevojshme në kohën e duhur.

Së fundi, ata theksuan se koordinimi i politikës monetare me politikën fiskale në Shqipëri dhe kahun e politikës monetare në Eurozonë dhe në botë mbetet i një rëndësie të veçantë. Konsolidimi fiskal dhe konvergjenca me politikën monetare në Eurozonë janë faktorë ndihmues në politikën monetare të Bankës së Shqipërisë dhe zhvillimin makroekonomik të vendit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor