28-vjeçarja e dhunuar nga partneri i saj ka rrëfyer dhunën që ka pësuar gjatë javës që është mbajtur me forcë në shtëpi nga Gleard Gusholli.
Ajo ka treguar se e ka njohur Gushollin në një spital në Gjermani ndërsa pohon se më pas ka lënë Gjermaninë, ku ka lindur për të jetuar me partnerin në Tiranë.
Në një intervistë të dhënë për gazetaren Klodiana Lala, e reja ka pranuar se është dhunuar barbarisht nga Gusholli i cili sipas saj e ka goditur me këmbën e karriges dhe e ka kanosur me thikë.
“Gleardin e njoha në spital në Gjermani ku punoja si infermiere. Duke qenë se nuk dinte gjuhën më caktuan mua të kujdesesha për të. Kështu nisi njohja jonë. Më pas filluam bashkëjetesën në një banesë pranë banesës së prindërve të mi. Ai u arrestua në Austri dhe pas burgut u kthye në Tiranë. Ne nisëm të komunikonim sërish dhe unë lashë gjithçka dhe erdha në Tiranë. Në momentin që erdhëm këtu u bë obsesiv dhe kontrollonte gjithçka timen. Vendosi të më mbante peng në banesë dhe më ka dhunuar në mënyrë barbare. Më ka goditur me këmbë të karriges, më ka kërcënuar me thikë, më ka shantazhuar se do bënte disa video që ai nën dhunë dhe presion kishte filmuar ndërsa isha në dush. Kam tentuar të hidhem dhe nga kati i pestë. Ai më tha që dua që të vuash, jo të vetëvritesh.” – ka thënë 28-vjeçarja.
Ajo tha se kishte tentuar vetëvrasjen në disa raste për shkak të dhunës barbare ndërsa ka kërkuar drejtësi.
28-vjeçarja tha gjithashtu se kushërira dhe motra e të riut e kanë mohuar dhe se ka shkuar vetë me ambulancë në spital.
“Kushërira e Gleardit më ka ndihmuar të dilja nga shtëpia. Kunata na pa tek ashensori dhe më tha ‘çfarë të ka bërë vëllai im kështu’. Por kur zbritëm tek ambulanca ajo dhe kushërira e tij thanë që nuk e njohim, e gjetëm në rrugë dhe në spital kam ardhur me ambulance.” – ka rrëfyer më tej vajza.