Vendosni fjalën kyçe....

Hapen 7 shërbimet e para në spitalin qendror në QSUT, Manastirliu: Kjo është faza e parë, vijon puna për shërbimet e tjera


Janë hapur shtatë shërbimet e para në Spitalin Qendror në QSUT, të cilat tashmë janë funksionale, teksa vijon plani i transferimit të plotë të shërbimeve, që do të përmbyllen me vënien në funksion të urgjencës së re.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka vizituar nga afër pacientët e pare dhe stafet mjekësore të shërbimeve të transferuara në spitalin e ri.

Manastirliu shtoi se kjo është faza e parë dhe se puna po vijon për t’u transferuar edhe shërbimet e tjera.

Jemi të kënaqur që plani i transferimit është duke shkuar ashtu sikurse ne e kemi planifikuar, duke garantuar që shërbimet të transferohen nga pikëpamja e organizimit ndërspitalor, por edhe organizmit mes shërbimeve të ketë efektivitet maksimal. Shtatë shërbime janë transferuar. Kjo është faza e parë, puna po vijon për t’u transferuar edhe shërbimet e tjera, sikurse ëshhtë shërbimi i kardiologjisë, reanimacionit kardiak dhe urgjenca”,- tha Manastirliu.

Pacientët dhe mjekët kanë vlerësuar maksimalisht këtë investim madhor në sektorin e shëndetësisë.

Gjithçka e re, gjithçka me standarde europiane”,- tha Prof. Myftar Barbullushi, Shef i Shërbimit të Nefrologjisë në QSUT.

Dhoma për pacientët janë të përsosura, absolutisht asnjë gjë mangët. Motivimin e kemi më të madh dhe detyrat do t’i bëjmë më mirë”,- tha prof. Adriana Babameto, Shefe e Shërbimit të Gastro-Hepatologjisë në QSUT.

Me këtë ndërtim që është bërë këtu, ne jemi të barabartë me Europën në nivelin spitalor. Do kërkojmë të rrisim cilësinë e shërbimit dhe perfomancën tonë,”- tha Prof. Agron Ylli, Shef i shërbimit të Endokrinologjisë në QSUT.

Spitali Qendror është vepra më e madhe infrastrukturore në shëndetësi në 30 vitet e fundit. Spitali Qendror ka kapacitet 345 shtretër dhe do të akomodohen 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, reumatologjia, alergologjia, urgjenca dhe imazheria.