Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Bërxullës takim me kreun e Hipotekës, u premtohet certifikimi i pronave


Banorët e Bërxullës kanë deklaruar sot se pas bisedimeve me drejtorin e Hipotekës u është premtuar se banesat e pronat e tyre do certifikohen.

Sipas kryeplakut të fshatit Bërxullë Muharrem Koni, pas shtatë muajsh protestë banorët kanë arritur të drejtën e tyre.

Ai shtoi se edhe banorët që nuk e kanë nisur ende aplikimin, janë në kohë për të kërkuar certifikimin e pronave.

“Folëm për problematikat që hasen, dolëm në përfundimin se t gjithë banorët që kanë bërë aplikim për banesat dhe pronat do të certifikohen. Edhe ata që nuk kanë bërë aplikimin, janë brenda kohës për të bërë aplikimet dhe certifikuar pronat. Pas 7 muajsh tashmë kemi gjetur një zgjidhje, pasi do të kenë pronat e certifikuara dhe banesat e certifikuara. Tani se çfarë bëhet me gjurmën e rrugës dhe pjesës tjetër, i takon atyre. Nga ana e Hipotekës jam i kënaqur nga ajo çfarë u premtuar”, tha ai.

Banorët paralajmëruan gjithashtu se ata do vijojnë protestat deri të marrin një shpjegim se çfarë do ndodhë me mbikalimet e nënkalimet.

“Protestën do ta vazhdojmë deri në ditën e fundit, sepse po nuk dhanë nënkalimet dhe shpjegim se si do të zhvillohet projekti i rrugës me rrugët lidhëse, ne jemi të vdekur.” – shtoi Koni.

Banorët e Bërxullës protestojnë prej shtatë muajsh kundër projektit të rrugës Thumanë-Kashar. Ata kanë kërkuar verifkimin e certifikimin e pronave të tyre, duke theksuar se janë pronarë të ligjshëm e  duke kërkuar dëmshpërblim të drejtë për pronat që preken.