Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak krahasoi taksat e kryeqytetit me ato të Bashkisë Shkodër duke publikuar dy faturat.
Veliaj tha se në Shkodër paguajnë gati dy herë më shumë taksa se në Tiranë dhe nuk e bëjnë dot falas urbanin siç dhe ka premtuar kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Belind Këlliçi.
Kryebashkiaku Veliaj tha se në Shkodër paguhen gjithsej 708 lekë taksa ndërsa në Tiranë 484 lekë çka e hedh poshtë arsyetimin se në kryeqendrën e veriut paguajnë më pak taksa prandaj nuk e kanë bërë një linjë urbani falas.
“I kam pyetur: Na e tregoni si s’bëhet autobusi falas në Shkodër, ku ka vetëm një linjë, jo 39 siç ka Tirana. Por, tani nxjerrin një teori tjetër dhe thonë: Nuk kemi mundësi sepse i kemi taksat shumë më të ulëta se Tirana. Unë i pari mendova, rrezik kështu është vërtet, mbase i kanë më të ulëta taksat në Shkodër. Por në një moment thashë pse mos ta kontrolloj vetë njëherë dhe mora dy fatura: faturën e UKT (për Tiranën) dhe faturën e UKSH (për Shkodrën), ku mblidhen taksat e bashkive. Në Shkodër, taksa dhe tarifa familjare (nuk e thotë as specifikimin për çfarë) është 708 lekë të reja. Pra, 7 mijë lek të vjetra taksa për familje. Të shohim si krahasohet me tonën: Ne i kemi të specifikuara, pra kemi Tarifë Pastrimi 100 lekë të reja, plus Taksë e Përkohshme e Infrastrukturës arsimore 150 lekë të reja (po kaq ka qenë edhe në kohën e Lulit se ka qenë taksa e gjelbërimit) dhe taksa për ndërtesën 250 lekë të reja, sipas metrave katrorë përkatës (rasti që po flasim është shtëpi e madhe, por kjo taksë mund të jetë edhe më e vogël nëse shtëpia ka më pak metra katrorë). Në total, 100+150+234 janë 484 lekë të reja ose 4 mijë 840 lekë të vjetra. Pra, Bashkia e Shkodrës mbledh nga familjarët më shumë taksë, 708 me 484, dhe nuk e bën dot asnjë linjë autobusi falas. Kjo është llogaria!”, tha Veliaj.