Në 1772, një grup i vogël radikalësh, kryesisht në Boston dhe Nju Jork, po shtynte për pavarësinë amerikane.
Benjamin Franklin nuk ishte në mesin e tyre. Ai ishte në Londër, siç kishte qenë për pjesën më të madhe të dy dekadave, duke i shërbyer Perandorisë Britanike si zëvendësdrejtor poste. Si shkencëtar, shpikës, shkrimtar dhe botues,
Franklin ishte personi më i famshëm dhe më i respektuar që kishte ardhur ndonjëherë nga kolonitë amerikane. Plus, ai ishte i zgjuar dhe tejet argëtues në festa.
Franklin nuk i pëlqenin taksat e vendosura mbi kolonitë, por në këtë pikë nuk e mbështeti pavarësinë, duke preferuar në vend të kësaj të avokonte për kolonistët përpara Parlamentit Britanik. Pastaj ai mori disa letra shumë private.
Ka pak ose aspak ngjashmëri mes burrështetit Franklin dhe Jack Teixeira. Teixeira është një anëtar 21-vjeçar i Gardës Kombëtare Ajrore të Massachusetts, i akuzuar tani për rrjedhjen e një grumbulli dokumentesh të klasifikuara që kanë tronditur botën e mbrojtjes dhe inteligjencës.
Por nëse dëshmitë e disa prej miqve të Teixeira-s në internet, pretendojnë se ai kishte për qëllim të ndante inteligjencën vetëm me një grup të vogël të rinjsh, duhen besuar, atëherë ai dhe Franklin ndajnë të paktën një situatë: të dyja rrjedhjet e inteligjencës u përhapën jashtë kontrollit të tyre.
Për Franklin, ajo filloi me një pako letrash nga qeveria koloniale e Massachusetts që kishte të bënte me Thomas Hutchinson dhe togerin e tij Andrew Oliver. Historianët nuk e dinë se kush ia zbuloi letrat Franklinit, por ajo që ai lexoi në to ishte alarmante.
Hutchinson dhe Oliver kundërshtuan kërkesat e kolonistëve për të drejta të barabarta me britanikët. Ata u ankuan për asamblenë e padisiplinuar të Massachusetts dhe sugjeruan që guvernatorit t’i jepej më shumë pushtet mbi ta dhe të dërgoheshin më shumë trupa britanike për të shuar trazirat.
Franklin mendoi se letrat e përshkruanin gabim situatën në Massachusetts, duke mashtruar kështu Parlamentin britanik dhe se nëse disa anëtarë të asamblesë së Massachusetts do ta dinin këtë, ata do ta përqendronin zemërimin e tyre më shumë te Hutchinson sesa te autoritetet britanike që ishin keqinformuar nga Hutchinson. Kështu, ai i dërgoi paketën e letrave jashtë shtetit, duke ia drejtuar Thomas Cushing, kryetarit të asamblesë, me udhëzime të rrepta se me kë mund t’i ndante.
Obsesioni ynë me rutinat e mëngjesit daton që nga Benjamin Franklin. Në fillim Cushing e nderoi kërkesën e Franklinit për t’i ndarë letrat vetëm me disa njerëz specifikë, megjithëse ai e pyeti Franklin nëse mund t’i publikonte ato.
Franklin tha jo dhe ai nuk mundi t’i botonte.
Për fat të keq për Cushing, Samuel Adams ishte një nga shikuesit e autorizuar dhe Adams, si një nga radikalët, nuk u kujdes për respektimin e kërkesës së Franklin. Ai filloi të shkruante për ekzistencën e letrave dhe mendimin e tij për to. Nga mesi i qershorit 1773, letrat u botuan të plota në Gazetën e Bostonit.
Pasuan demonstrata dhe trazira, me kërkesa për shkarkimin e guvernatorit. Zhurma kontribuoi gjithashtu në Festën e Çajit të Bostonit (Boston Tea Party) gjashtë muaj më vonë, në të cilën një turmë radikalësh hodhi çajin britanik në portin e Bostonit.
Londra nga ana e saj u vu në kërkim të zbuluesit, veprimet e të cilit kishin shkaktuar një kaos të tillë. Marrësi fillestar i letrave, Thomas Whately, kishte vdekur, por vëllai i tij Charles Whately akuzoi një doganier të quajtur John Temple. Temple e mohoi akuzën dhe e sfidoi Charles Whately në duel.
Dueli ishte një ‘aferë e ngathët, pothuajse komike’, sipas historianit Kenneth Lawing Penegar në librin e tij “The Political Trial of Benjamin Franklin: A Prelude to the American Revolution”. Temple, mbipeshë dhe gati i shurdhër, filloi duelin përpara se të vinin ndihmat e secilit prej tyre.
Gjithashtu, binte shi dhe të dy burrat u përplasën në baltë me shpatat e tyre për një orë përpara se një kalimtar t’i ndalonte. Megjithatë, Whately mbeti i plagosur dhe së shpejti ishte planifikuar një duel tjetër.
Franklin, duke shpresuar të ndalonte gjakderdhjen e mëtejshme, vendosi të pastronte emrin. Në ditën e Krishtlindjes në 1773, ai botoi një rrëfim në një gazetë londineze. Në janar, Franklin u thirr për t’u paraqitur para Këshillit të Fshehtë, këshilltarët më të vjetër të Mbretit.
Për t’i bërë gjërat edhe më keq, disa ditë para daljes së tij të planifikuar, lajmi për ‘Boston Tea Party’ u përhap në brigjet britanike. Prokurori i përgjithshëm, i cili drejtoi seancën, e fyeu gjatë përpara se ta pushonte nga detyra.
Franklin, me reputacionin e tij të shkatërruar, u kthye në koloni në mars 1774. Në vend që të ndryshonte mendjen e njerëzve për konfliktin midis kolonive dhe Perandorisë Britanike, e gjithë çështja kishte ndryshuar vetëm një mendje: të tijën. Tani ai do mbështeste pavarësinë amerikane.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post
Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani