Vendosni fjalën kyçe....

India do kapërcejë Kinën për popullsi në mesin e vitit 2023 – Raporti i OKB-së


India pritet të bëhet shumë shpejt vendi më i populluar në botë, duke kaluar Kinën me gati 3 milionë njerëz më shumë në mesin e këtij viti, treguan të dhënat e publikuara të mërkurën nga Kombet e Bashkuara.

Të dhënat demografike nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) ‘Raporti i Gjendjes së Popullsisë Botërore, 2023’ vlerësojnë popullsinë e Indisë në 1,428.6 miliardë kundrejt 1.4257 miliardë të Kinës.

Shtetet e Bashkuara janë vendi i tretë me popullsinë më të madhe, megjithatë shumë larg se dy të parat, me një popullsi prej 340 milionë banorësh, treguan të dhënat. Të dhënat pasqyrojnë informacionin e disponueshëm që nga shkurti 2023, thuhet në raport.

Ekspertët e popullsisë duke përdorur të dhëna të mëparshme nga OKB-ja kanë parashikuar që India do të kalojë Kinën këtë muaj. Por raporti i fundit nga trupi global nuk specifikoi datën se kur do ndodhte ndryshimi.

Zyrtarët e OKB-së për popullsinë kanë thënë se nuk ishte e mundur të specifikohej një datë për shkak të ‘pasigurisë’ në lidhje me të dhënat që dilnin nga India dhe Kina, veçanërisht pasi regjistrimi i fundit i Indisë u krye në vitin 2011 dhe tjetri që do të duhej të bëhej në vitin 2021 u vonua për shkak të pandemisë.

Edhe pse India e Kina do përbëjnë më shumë se një të tretën e popullsisë së vlerësuar globale prej 8.045 miliardë banorësh, rritja e popullsisë në të dy gjigantët aziatikë është ngadalësuar, me një ritëm shumë më të shpejtë në Kinë sesa në Indi.

Vitin e kaluar, popullsia e Kinës ra për herë të parë në gjashtë dekada, një kthesë historike që pritet të shënojë fillimin e një periudhe të gjatë rënieje të numrit të qytetarëve të saj me implikime të thella për ekonominë e saj dhe botën.

Rritja vjetore e popullsisë së Indisë ka qenë mesatarisht 1.2% që nga viti 2011, krahasuar me 1.7% në 10 vitet e mëparshme, sipas të dhënave të qeverisë.