Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Tiranën, Belind Këlliçi, premtoi në emisionin “Opinion” se nëse zgjidhet kryetar bashkie nuk do të japë asnjë leje për ndërtimin e kullave në qendër të qytetit.
Këlliçi akuzoi kryebashkiakun Erion Veliaj se “e ka kthyer Tiranën në masiv betoni” për shkak të ndërtimeve.
“Tiranën, kryetari i bashkisë aktuale, e ka shpërfytyruar kryeqytetin duke e kthyer në një masiv të madh betoni. Ka dhënë 7.5 milionë metër katrorë ndërtimi beton. Premtimet e mia, në raport me këtë që i ka ndodhur qytetit. Sa të jem unë kryetar bashkie nuk do të ketë më kulla në qendër të Tiranës, Bulevardi i Ri duhet të zhvillohet. Dua të jap premtimin e dytë, parkut të liqenit nuk i preket më asnjë centimetër katrorë. Çfarë ka bërë kryetari aktual i bashkisë i ka hequr 520 mijë metër katrorë hapësirë të gjelbër Tiranës në këto 8 vjet për ta kthyer në beton atë hapësirë, ndërkohë ka ndërtuar 7.5 milionë metër katrorë beton. Jep 100 leje në muaj mesatarisht, rekord në Europë. Nga ana tjetër, korrupsioni është galopant në Bashkinë e Tiranës. Banka Botërore, në raportin e fundit që ka bërë për mbledhjen e taksave në qytet, ka thënë që 38% e taksave nuk paguhen, nuk mblidhen nga Bashkia e Tiranës që shkakton një dëm kolosal në buxhetin e bashkisë”, tha Belind Këlliçi.