Kandidati i koalicionit për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka shpjeguar në emisionin “Opinion” projektin e tij për nënkalimin në sheshin “Skënderbej” si dhe koston e transportit publik.
Kjo ide e prezantuar këtë pasdite, ka për qëllim lehtësimin e trafikut në qytet, me një kosto afërsisht prej 4.6 milionë eurosh dhe një rampë hyrëse dhe dalëse prej 210 metër.
Ndër të tjera Këlliçi nuk e kurseu ironinë me rivalin politik Veliaj, ndërsa tha: “Arsyeja pse shkon vetëm 4.6 milionë është e thjeshtë, sepse nuk do vidhet”.
“Ne nuk do ta prekim sheshin sepse kam parë lajme që “Belo çan sheshin”. Belindi nuk do ta dëmtojë asnjë centimetër sheshin. Edhe në logjikën e trafikut ajo është zemra e Tiranës ku vjen e bllokon me radhë të gjithë Tiranën. Sheshi lart nuk do të preket. Parkingu nëntokësor në shesh nuk do të preket. Nuk dëmtohet”-tha Këlliçi
Urbanisti dhe njëherësh kandidati për këshillin bashkiak Gent Kaprata i cili së bashku me një grup pune prej 7-10 vitesh kanë ideuar projektin e nënkalimit tek Sheshi Skëndërbej shpjegoi detaje teknike nga projekti dhe kostot e tij.
“Kemi punuar së bashku me një grup pune prej disa vetash, është një koncept-ide. Këtë e ka bërë një grup pune prej 7-10 vetash. Çdo pikë që shikoni është një pikë në territor. Nuk prek infrastrukturën e sheshit, nuk janë tubacionet aty. Ka mundësi që tek kjo linjë të mos dalë më ai uji me presion. Do të gërmohet në kohën që do të punohet. Ky është grafiku i punës, kushton 4 milionë e 500 e mijë e 554 Euro. Është 200 metër nënkalim. Kjo kosto këtu ka plus 5 për qind fond rezervë. Do të marrë 18 javë. Ky është grafiku i punimeve për ndërtimin. Ai nënkupton 12 procese pune që janë të përcaktuara sipas njësisë, varet si janë. Secila nga këto ka sasinë, edhe këtu tregohet procesi sipas javëve”-tha Kaprata.
Lidhur me premtimin për transport publik falas, Këlliçi tha se rreth 16.8 milionë Euro në vit do të kushtojë kjo nismè
Këlliçi shtoi se 5 milionë euro në vit do të përdoren për të modernizuar flotën e autobusëve.
“Viti para pandemisë është numri më i lartë i pasagjerëve në transportin publik në Tiranë. Numri total është 28, 666, 000 bileta. Numri i aboneve është 490,546. Të kombinuar në një kosto të dyja shkojnë 16.79 milionë Euro në vit. Do destinojmë një fond prej 5 milionë Eurosh në vit për të modernizuar flotën e autobusëve për të patur në të ardhmen edhe autobusë hibridë për të ulur kostot e mirëmbajtjes, për të ulur karburantin, dhe për të modernizuar edhe stacionet e autobusit ku sot nuk ke asnjë shenjë dalluese”-tha Këlliçi.
Belind Këlliçi deklaroi se nëse nuk arrin të zbatojë planin e tij për transportin publik falas jep dorëheqjen nga detyra si kryetar bashkie.
Të njëjtin zotim, Këlliçi e bëri gjatë ditës së sotme dhe gjatë prezantimit të nën kalimit në sheshin “Skënderbej”.
“Më shiko në sy, do iki. Nuk i dal më qytetarëve para për të kërkuar më votën. Do iki”-iu drejtua Këlliçi gazetarit Mentro Kikia.