Qeveria ka nxjerrë vendimin për rregullat dhe financimin për zyrat me qira për partitë politike në nivel qendror dhe vendor.
Shteti financon për qiranë e ndërtesës së selisë qendrore dhe për jo më shumë se një zyrë vendore për çdo parti, brenda territorit të një bashkie.
Shteti financon qiranë e ndërtesës për një sipërfaqe jo më shumë se 100 m2 për selinë qendrore dhe jo më shumë se 50 m2 për zyrat vendore të partisë politike, për një vlerë jo më shumë se 1 000 lekë/m2 në muaj për zyra me pajisje dhe jo më shumë se 750 lekë/m2 në muaj për zyra pa pajisje.
Vendimi i qeverisë vjen në zbatim të ligjit për partitë politike, ku detajet dhe rregullat e financimit të partive politike për marrjen me qira të zyrave përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
Në rregullat e reja të miratuara, partitë politike fituese të së drejtës për të marrë financim për qiranë e zyrës duhet të kenë marrë të paktën mbi 1% të votave në tre zgjedhjet e fundit. Kërkesa dërgohet në Ministrinë e Brendshme dhe në brendësi të saj duhet të ketë vërtetimin e KQZ për rezultatin zgjedhor të tre zgjedhjeve të fundit të partisë politike dhe vërtetimin nga Kuvendit të numrit të deputetëve me të cilën përfaqësohet në parlament partia politike.
Në rregullat e përcaktuara nga qeveria, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave vlerësojnë nëse ka prona të lira në pronësi të shtetit për t’ia kaluar partinë politike, nëse nuk gjenden, atëherë partitë politike duhet ta gjejnë vetë dhe ti dërgojnë Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Financave detajet e marrëveshjes së qiranë.