Vendosni fjalën kyçe....

Varufakis mbështet Arlind Qorin në kandidimin për Bashkinë Tiranë


Kandidati për Bashkinë Tiranë, Arlind Qori është takuar me ish-ministrin e Financave të Greqisë dhe drejtuesin e partisë MERA25 Janis Varufakis.

Varufakis i cili njihet si mbështetës i ideologjisë së majtë diskutoi me një grup të Lëvizjes Bashkë në Athinë për situatën politiko-shoqërore në Shqipëri e Greqi, dhe rëndësinë e lëvizjeve shoqërore që i kundërvihen oligarkisë ekonomike.

Varufakis shprehu mbështetjen për kandidimin e Arlind Qorit në zgjedhjet e 14 majit për Bashkinë Tiranë.

Sot një grup përfaqësuesish të Lëvizjes BASHKË u takuan në Athinë me përfaqësuesit e partisë parlamentare të së majtës greke MERA25, të kryesuar nga ish-ministri i Financave të Greqisë dhe një prej intelektualëve më të rëndësishëm evropianë Janis Varufakis.

Gjatë takimit diskutuam për situatat politiko-shoqërore përkatëse në Shqipëri e Greqi, duke vënë në dukje të përbashkëtat dhe dallimet në to. Rëndësi ka, në të dyja vendet, përpjekja e lëvizjeve shoqërore për t’iu kundërvënë oligarkisë ekonomike dhe një sistemi të korruptuar politik.

Fokus të veçantë në bisedën tonë mori çështja e emigrantëve shqiptarë në Greqi, të drejtave të tyre të nëpërkëmbura dhe mundësive për të avancuar statusin e tyre në shoqërinë greke. Mësuam me kënaqësi që në programin e MERA25 shtrohet me përparësi çështja e luftës kundër racizmit dhe diskriminimit ndaj shqiptarëve, si dhe propozimi që çdo emigrant në Greqi të ketë të drejtë të fitojë shtetësinë greke pas dy viteve qëndrim në vend.

Në fund të takimit, kryetari i MERA25 shprehu publikisht mbështetjen e tij për kandidimin e Lëvizjes BASHKË në Bashkinë e Tiranës”-thuhet në postimin e Lëvizjes Bashkë.

Unë jam Janis Varufakis. Këtu jemi në zyrat e MERA25 në Athinë. Ne mbështesim fuqimisht Lëvizjen BASHKË për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, si zëra progresistë, radikalë e të majtë që po çojnë përpara një program të pjekur nga pikëpamja teknokratike, duke e kombinuar me një politikë progresiste.

Kjo duhet të ndodhë në të gjitha qytetet rebele sepse vetëm në qytetet rebele ia vlen të jetohet. Kështu ndodh në Barcelonë dhe kështu duhet të ndodhë edhe në Athinë e Tiranë. Kjo është ajo që i duhet Tiranës sot.

Unë jam shumë i lumtur të mbështes përpjekjen tuaj për të materializuar politika progresiste në Tiranë. Po na frymëzoni edhe ne, këtu në Athinë.”-tha Varufakis.