Kandidati PD-së për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko zhvilloi ditën e sotme një takim me mësues, ku ka paraqitur edhe programin e tij për arsimin.
Bejko tha se arsimi është prioritet për ta dhe një nder pikat kryesore të programit.
Bejko tha se në bazë të programit të tyre do të pozicionojnë kopshtet dhe çerdhet jo më tepër se 15 minuta larg shtëpisë, dhe kjo do të realizohet në bazë të Hartës së Çerdheve dhe Kopshteve sipas rrezes së vendbanimit të fëmijëve.
Sipas Bejkos, kjo do të sillte shpërndarje të kontrolluar të numrit të fëmijëve dhe për ta bërë të mundur do të marrin ambiente me qira, krahas ndërtimit të kopshteve dhe çerdheve të reja.
Pjesë nga fjala e Bejkos
“Arsimi është një prioritet për ekipin tonë! Për këtë arsye në takimin me pedagogë të njohur ndamë vizionin tonë për arsimin në krye të Bashkisë Tiranë, por morëm edhe sugjerime me shumë vlerë.
Më poshtë disa nga pikat që ne kemi për arsimin e Tiranës në të gjitha ciklet:
Shërbimi ¨15 min larg shtëpisë¨ bazuar në Hartën e Çerdheve dhe Kopshteve sipas rrezes së vendbanimit të fëmijëve do të sillte shpërndarje të kontrolluar të numrit të fëmijëve në to dhe marrja e ambienteve me qira është zgjidhje emergjente, krahas ndërtimit të çerdheve dhe kopshteve të reja.
Kjo do të sillte:
a) Ulje të numrin të madh të fëmijëve dhe rritje të sigurisë së tyre (domosdoshmëri);
b) Hapësirën e nevojshme për ajër për metër kub për fëmijë (jetike);
c) Hapësirë për ambiente të ndara për të luajtur, mësuar, ushqyer dhe për të fjetur.
d) Lehtësim të trafikut pasi një pjesë e fëmijëve vijnë nga zona të ndryshme për arsye të mungesës së shërbimeve afër vendbanimeve të tyre, prindër që punojnë në Bashki, prindërve në administratën shtetërore ose kanë biznes apo qendrën e punës pranë kopshteve dhe çerdheve.
Do te ndërtohen 10 çerdhe dhe kopshte të reja në mënyrë të balancuar midis qendrës së qytetit dhe lagjeve periferike duke u ardhur në ndihmë njerëzve që punojnë. Nga këto kopshte dhe çerdhe, dy prej tyre do të jenë domosdoshmërish të vendosura pranë zonës industriale të autostradës Tiranë-Durrës ku prindërit që punojnë në këtë zonë do ta kenë më të lehtë të çojnë dhe të marrin fëmijët e tyre.
Shqipëria me pozicionin e saj gjeografik ku dielli është prezent 76% në vit ose 280 ditë në vit na fton të përfitojmë nga gjithë kjo energji alternative, duke përdorur Panele Diellore për energji dhe ngrohje. Kudo ku të ketë mundësi në kopshtet dhe çerdhet e qytetit do të instalohen Panele Diellore që do tu mundësojnë vogëlushëve ujin e ngrohtë dhe ngrohje konstante gjatë muajve të dimrit.