Liberalizimi i vizave që u miratua për Kosovën, vlen vetëm për poseduesit e pasaportës së Kosovës, por jo edhe për ata shtetas të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe, konfirmuan zyrtarë të Komisionit Evropian.
Zëdhënësja Anita Hipper tha në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë se “regjimi i vizave do të mbetet i vlefshëm vetëm për ata shtetas në Kosovë, pasaportat e të cilëve lëshohen nga Administrata Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë”, përcjell REL.
Serbët në Kosovë janë përjashtuar nga liberalizimi i vizave edhe kur Serbisë i janë hequr ato në vitin 2009.
Megjithatë, nga Komisioni Evropian thanë se po punojnë që të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor ta gëzojnë lirinë e lëvizjes në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej dhjetëra shtetesh evropiane.
“Derisa ecim përpara me liberalizimin e vizave për Kosovën, BE-ja është e vendosur të sigurojë që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në regjimin pa viza të BE-së, me kusht që ekzistojnë rrethanat për udhëtim të sigurt”, tha Hipper.
Pas nënshkrimit të aktit ligjor për liberalizimin e vizave për Kosovën, më 19 prill, raportuesi për viza i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, tha po ashtu se heqja e vizave vlen vetëm për pasaportat e Kosovës.
“[Legjislacioni] është formuluar goxha me kujdes, ashtu siç thuhet, asgjë më shumë, asgjë më pak: qytetarët e Kosovës me dokument të lëshuar nga autoritetet e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm”, tha ai.
Vendimi për lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024.
Qytetarëve të Serbisë me adresë banimi në Kosovë, pasaportat ua lëshon Administrata Koordinuese, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.
Në vitin 2009, Serbia është dashur ta formojë këtë organ për të siguruar liberalizimin e vizave për vete.
Para kësaj kohe, shtetasit serbë me banim në Kosovë i kanë marrë pasaportat në Drejtoritë e Policisë, të cilat Beogradi zyrtar i ka zhvendosur në qytetet e Serbisë, pas luftës në Kosovë më 1999.
Kosova nuk i njeh këto pasaporta, sepse konsideron se ato lëshohen nga “institucione paralele ilegale”.