Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është dakorduar nën patronazhin e Bashkimit Evropian, por themelimin e tij tani e kërkon Rusia.
Asociacioni, i cili tash e dhjetë vjet është shkak i përplasjeve midis Kosovës dhe Serbisë, mund të jetë temë e diskutimit në Nju Jork, përkatësisht në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sipas REL.
Këtë e ka paralajmëruar ambasadori i Rusisë në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko.
Ai ka thënë se vendi i tij “angazhohet për një diskutim produktiv për thelbin e problemeve, që janë vërtet akute për serbët, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit” të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Rusia, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje, ka marrë kryesimin njëmujor të këtij organi në muajin prill.
Kryesimi i saj përkon me seancën e rregullt për Kosovën, e caktuar për datën 27 prill.
Bashkimi Evropian ka thënë më herët se do të “kundërshtojë çdo keqpërdorim” nga Rusia, gjatë udhëheqjes së Këshillit të Sigurimit.
“Ardhja e Rusisë në krye të Këshillit të Sigurimit të OKB-së është e denjë për një shaka të 1 prillit. Pavarësisht se është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, Rusia vazhdon ta shkelë thelbin e kornizës ligjore të OKB-së”, ka thënë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Rusia është nën sanksione nga Perëndimi, për shkak të pushtimit të Ukrainës, që ka nisur në shkurt të vitit 2022.
Deri më sot, mijëra civilë janë vrarë në Ukrainë, miliona janë larguar nga shtëpitë dhe dhjetëra qytete janë shkatërruar.
Çfarë do Rusia?
Nisma e Rusisë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe vjen pasi Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje të re gojore për normalizimin e marrëdhënieve, në fund të shkurtit.
Marrëveshja është arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Drejtori ekzekutiv i Institutit joqeveritar për Çështje Evropiane në Beograd, Naim Leo Beshiri, e përshkruan Rusinë si një “faktor shkatërrues për çdo marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës”.
“Natyrisht se përpiqet t’i turbullojë ujërat për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Rusia përpiqet ta kundërshtojë çdo përparim në këtë pjesë të Evropës”, thotë Beshiri për Radion Evropa e Lirë.
Nën ndërmjetësimin e BE-së, Prishtina dhe Beogradi janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011. Procesi duhet të rezultojë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Palët akuzojnë vazhdimisht njëra-tjetrën për bllokimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Rusia, e cila mbështet Serbinë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, ka akuzuar BE-në dhe SHBA-në se janë të njëanshme, duke i “përfaqësuar interesat e Prishtinës zyrtare”.
Ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, ka thënë se “Prishtina e ka injoruar një detyrim kyç për një dekadë, por se ende po ia del mbanë”, duke iu referuar kështu formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ndërmjetësuesit evropianë kanë treguar sërish – ashtu siç edhe pritej – pandershmërinë e tyre”, ka thënë Botsan-Kharchenko në një deklaratë të transmetuar nga mediat e Beogradit
Pas dakordimit të Prishtinës dhe Beogradit për të zbatuar Marrëveshjen e re për normalizimin e marrëdhënieve, në muajin mars në Ohër, BE-ja dhe SHBA-ja u kanë bërë thirrje dy vendeve që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet që kanë arritur deri më tani, përfshirë edhe Marrëveshjen e vitit 2013 për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Thirrja e fundit për krijimin e Asociacionit është bërë nga zyrtarët perëndimorë më 19 prill – në ditën që është shënuar një dekadë nga nënshkrimi i marrëveshjes në Bruksel.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se pret që deri më 2 maj – kur liderët e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel – Qeveria e Kosovës ta ketë propozimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Shpresoj se deri më 2 maj do të ketë një draft të zbatueshëm”, ka thënë Escobar për Zërin e Amerikës, më 20 prill.